
Partia në pushtet në Korenë e Veriut ka rizgjedhur Kim Jong-un si sekretar të përgjithshëm gjatë kongresit të saj të nëntë, njoftuan mediat shtetërore.
Sipas agjencisë zyrtare KCNA, vendimi u mor nga Kongresi i nëntë i Partisë së Punës së Koresë, i cili u hap të enjten në kryeqytetin Pyongyang dhe mblidhet çdo pesë vjet. Në këtë ngjarje po marrin pjesë rreth 5,000 delegatë të partisë.
Sipas KCNA-së, rizgjedhja e Kim Jong-un u bë “në përputhje me vullnetin e palëkundur dhe dëshirën unanime” të delegatëve dhe anëtarëve të partisë.
Gjatë seancës së së dielës u zgjodhën gjithashtu anëtarët dhe anëtarët alternativë të Komitetit Qendror të partisë. Ndërkohë, disa figura të larta, përfshirë kryetarin 76-vjeçar të parlamentit, Choe Ryong-hae, nuk u përfshinë në listën e re, çka shihet si sinjal i një ndryshimi brezash në udhëheqje.
Kongresi miratoi edhe rregulla të rishikuara të partisë, por pa dhënë detaje. Në përfundim të punimeve pritet të miratohen objektiva të reja pesëvjeçare për ekonominë, mbrojtjen dhe diplomacinë.
Kongresi i partisë konsiderohet organi më i lartë vendimmarrës në Korenë e Veriut. /mesazhi






