Kina i dha mbështetje Afrikës së Jugut pas kërcënimeve të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të mos e ftuar Afrikën e Jugut në samitin e G20 në vitin 2026 në Florida, transmeton Anadolu.
“Pekini pret me padurim të punojë me Afrikën e Jugut dhe të gjithë anëtarët e tjerë të G20 për të mbrojtur multilateralizmin, për të promovuar rritjen ekonomike botërore dhe për të përmirësuar qeverisjen ekonomike globale”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun në konferencën për mediat në Pekin.
Ai theksoi se samiti i G20, i organizuar në kryeqytetin e Afrikës së Jugut, Johanesburg, muajin e kaluar ishte “sukses i plotë dhe i vlerësuar shumë nga bashkësia ndërkombëtare”.
“G20 ka qenë prej kohësh i përkushtuar ndaj solidaritetit, bashkëpunimit dhe konsultimit të barabartë. Si anëtare themeluese e G20, Afrika e Jugut mori pjesë në të gjitha samitet e mëparshme dhe gjatë gjithë kohës ka luajtur rol të rëndësishëm në grup. Kina mbështet Afrikën e Jugut në vazhdimin e pjesëmarrjes në bashkëpunimin e G20”, tha Jiakun.
Trump nuk dërgoi delegacion amerikan në samitin e fundit të G20, duke thënë se e bëri këtë sepse afrikanët po persekutoheshin në vend, një pretendim i hedhur poshtë nga Pretoria.


