Kina njoftoi sot se SHBA-ja ka dërguar ftesë për t’u bashkuar me “Bordin e Paqes” të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për Gazën, transmeton Anadolu.
“Kina ka marrë ftesën nga SHBA-ja”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Guo Jiakun në përgjigje të një pyetjeje lidhur me pjesëmarrjen në organin ndërkombëtar.
Kur u pyet gjatë konferencës për media në Pekin nëse Kina do ta pranojë apo jo ftesën, Guo tha se nuk kishte informacione të mëtejshme për të shtuar.
Shtëpia e Bardhë javën e kaluar njoftoi formimin e Bordit të Paqes, duke thënë se ai do të “luajë rol thelbësor në përmbushjen” e 20 pikave të planit të Trumpit për t’i dhënë fund përgjithmonë luftës së Izraelit në Gaza dhe për të rindërtuar enklavën si dhe për të “siguruar mbikëqyrje strategjike, për të mobilizuar burimet ndërkombëtare dhe për të siguruar llogaridhënie ndërsa Gaza kalon nga konflikti në paqe dhe zhvillim”.
Administrata e Trumpit ka ftuar për t’u bashkuar me bordin, shumë udhëheqës të huaj, përfshirë ata nga vendet arabe, aziatike dhe perëndimore.
SHBA-ja gjithashtu themeloi Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG) për të zbatuar fazën e dytë të planit gjithëpërfshirës të Trumpit për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza, së bashku me një bord ekzekutiv themelues dhe një bord ekzekutiv të Gazës në mbështetje të NCAG-ut.





