Kina lançon me sukses misionin për të dërguar 3 astronautë në stacionin hapësinor

Kina lançoi me sukses tre astronautë në hapësirë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Anija kozmike Shenzhou-12 u nis nga qendra e lançimit të satelitëve “Jiuquan” në shkretëtirën Gobi në provincën Gansu të Kinës jugperëndimore, bëri të ditur e përditshmja “Global Times”.

Astronautët Nie Haisheng, Liu Boming dhe Tang Hongbo, planifikohet të kalojnë tre muaj në stacionin Tiangong.

Treshja u zgjodh nga grupi i parë dhe i dytë i astronautëve të Kinës. Gjatë qëndrimit të tyre, ata do të kryejnë detyra, përfshirë riparimin dhe mirëmbajtjen si dhe funksionimin shkencor të ngarkesave.

Kjo është hera e parë në gati pesë vjet që Kina dërgon astronautë në hapësirë. Ky është misioni i parë i fluturimit me ekuipazh dhe hapi i tretë i 11 misioneve të lançimeve hapësinore të vendit në fazën intensive të ndërtimit të stacionit hapësinor.

Në prill, Kina lançoi modulin kryesor për stacionin hapësinor në formë T ndërsa synon përfundimin e tij deri në vitin e ardhshëm.

Pas lançimit të suksesshëm të modulit më 29 prill, presidenti kinez Xi Jinping tha se ndërtimi i stacionit hapësinor të Kinës kishte hyrë në fazën e plotë të zbatimit, duke hedhur një themel të fortë për detyrat vijuese.

Stacioni hapësinor ka një jetëgjatësi të projektuar prej 10 vjetësh, por mirëmbajtja dhe riparimet e duhura mund të zgjasin jetën e tij në më shumë se 15 vjet. /aa