Kishat në Gjermani me të ardhura rekord në vitin 2022

Kisha katolike dhe ajo protestante në Gjermani arritën të ardhura rekord nga taksa e kishës në vitin 2022, por për shkak të rënies së numrit të besimtarëve, ekspertët presin ulje të të ardhurave në të ardhmen, thuhet në raportin e publikuar të shtunën, shkruan Bild.

“Vitin e kaluar, kishat katolike dhe ato protestante morën 13 miliardë euro të ardhura nga taksa e kuqe, që është 200 milionë më shumë se në vitin 2021”, njoftoi Instituti i Ekonomisë Gjermane (IW). Por në të njëjtën kohë, IW vlerëson se kjo shumë mund të ulet ndjeshëm në vitet në vijim, për shkak të rënies së numrit të besimtarëve.

Inflacioni mund të luajë gjithashtu rol në uljen e të ardhurave të kishave, sipas njoftimit të IW-së. Në vitin 2022, rreth 1.3 milionë besimtarë u larguan zyrtarisht nga radhët e këtyre dy kishave në Gjermani, gjë që i përjashton ata nga pagesa e taksës së kishës.

Krahasuar me vitin 2019, kishat mund të kenë 11 për qind më pak të ardhura në vitin 2027.

“Largimi nga kisha dhe ndryshimet demografike reflektohen gjithnjë e më shumë në hyrjet në arkat e kishës, që do të thotë se kishat do të detyroheshin të kursenin në të ardhmen”, ka thënë autori i studimit dhe eksperti i taksave i IW, Tobias Hentze.

Në të njëjtën kohë, vuri në dukje “pasurinë e madhe” që disponojnë kishat gjermane.

“Kishat mund të përdorin pasurinë e tyre për të mbushur boshllëkun buxhetor”, ka thënë Hentze.

Ai nuk rekomandon rritjen e taksës së kishës, sepse, sipas tij, kjo do të rriste më tej numrin e besimtarëve që largohen nga kisha.

Taksa e kishës është e barabartë me tatimin mbi të ardhurat dhe në pjesën më të madhe të Gjermanisë është 9 për qind e kësaj takse. Paratë nga taksa e kishës shkojnë vetëm për kishat katolike dhe protestante në Gjermani. /koha