“Kjo minare është e shtrembër”

Pas përfundimit të xhamisë Selimije, e cila konsiderohet si kryevepër arkiteturore, Arkitekt Sinani dëgjon bisedat e disa fëmijëve që po luanin në oborrin e saj.
“Kjo minare qenka ndërtuar shtrembër!” I thotë një fëmijë shokëve të vet.
Arkitekti shkon menjëherë pranë fëmijës dhe e pyet:
“Ma trego të lutem, i thotë, cila është minarja e shtrembër?”
“Ja, ajo djathtas. A e dallon?”
Arkitekt Sinani thërret menjëherë mjeshtrat dhe në prani të fëmijës, kërkon ti sjellin një litar. Lidh njërin cep të litarit te minarja dhe i drejtohet fëmijës;
“Tani mjeshtrat, me ndihmën tënde, do e drejtojnë minaren. Kur minarja të jetë në rregull, ti na trego që ti themi të ndalojnë”
Mjeshtrat nisin të tërheqin litarin, sipas direktivave të fëmijës, derisa ai thërret:
“Mjaft, u dtejtua! Tani është në rregull!”
Arkitekti i afrohet fëmijës e e pyet:
“Po tani, a u drejtua?”
“Poo, përgjigjet fëmija i kënaqur, Tani u bë më e bukur”
Mjeshtrat ndërkohë kishin mbetur të hutuar me litar në dorë.
Arkitek Sinani shkon pranë tyre dhe me fjalët e tij e provon edhe një herë madhështinë e vet.
“Nëse nuk do e ndreqnim minaren e shtrembër në mendjen e këtij fëmije, ai asnjëherë nuk do arrinte ta dallonte bukurinë e xhamisë. Sa herë do e shihte, do dallonte veç një minare të shtrembër.
Thashethemet duhen mbyllur që në burim. Edhe nëse janë të rreme, ato lënë hije nga pas.
Po të mos e “drejtonim”, emri i kësaj xhamie do ngelte “xhamia me minare të shtrembër e askush nuk do dallonte mrekullinë e saj, po vetëm do kërkonin shtrembërinë e minares.”

Nga: Genc Çurgu