Një palestinez u plagos sot në mëngjes pasi një kolon i paligjshëm izraelit e goditi me një automjet në Bregun Perëndimor të pushtuar, njoftoi agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa, transmeton Anadolu.
Burime lokale të cituara nga Wafa thanë se incidenti ndodhi në rrugën “Aman”, në lindje të qytetit verior të Bregut Perëndimor, Nablus, kur një grup kolonësh hynë në zonë me automjetet e tyre. Një kolon i paligjshëm goditi një të ri palestinez ndërsa ai po kalonte rrugën, duke e lënë me fraktura në të dyja këmbët, thuhet në raport.
Ushtria izraelite konfirmoi raportet e incidentit, sipas të përditshmes izraelite “Yedioth Ahronoth”. Ushtria tha se hebrenjtë hasidikë të Breslovit, të cilët hynë në Nablus pa autorizim dhe vizituan Varrin e Jusufit (Jozef), goditën një palestinez ndërsa po largoheshin nga vendi.
Varri i Jusufit, i nderuar si nga muslimanët ashtu edhe nga hebrenjtë, ka shërbyer prej kohësh si një pikë e nxehtë për përleshje midis palestinezëve dhe kolonëve të paligjshëm izraelitë.
Hebrenjtë besojnë se vendi është vendi i prehjes së patriarkut biblik Jozef. Nga ana tjetër, muslimanët e kundërshtojnë këtë pretendim, duke thënë se Shejh Yusuf Dawiqat, një dijetar musliman, është varrosur atje dy shekuj më parë.
Forcat izraelite dhe kolonët e paligjshëm kanë vrarë të paktën 1.097 palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor, kanë plagosur gati 11 mijë dhe kanë ndaluar rreth 21 mijë që nga tetori 2023, sipas shifrave palestineze.
Në një mendim historik korrikun e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e shpalli pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli të paligjshëm dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.
