Kolumbia nuk do të tërhiqet nga vendimi për njohjen e Palestinës

Ministri i Jashtëm i Kolumbisë, Carlos Holmes Trujillo tha se nuk do të ndryshojnë vendimin për njohjen e Palestinës, vendim të cilin e kanë marrë para se ish-presidentit Juan Manuel Santos t’i përfundojë mandati, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas gazetës kolumbiane “El Tiempo”, mësohet se ministri Trujillo i cili ndodhet në SHBA gjatë një fjalimi ka thënë se “Vendi ynë nuk ka ndonjë qëllim që të bëjë hap prapa në vendimin që ka marrë për njohjen e Palestinës. Çdo gjë do të vazhdojë kështu siç është”.

Pavarësisht vendimit për njohjen nuk do të ndërmerren hapa të reja në marrëdhëniet me Palestinën. Trujillo thekson se nuk do të hapin përfaqësi diplomatike në Palestinë. Ai tha se ambasadat në Egjipt dhe Izrael janë të mjaftueshme për të përmbushur kërkesat dhe procedurat zyrtare të qytetarëve.

Kolumbia e ka njohur Palestinën si shtet të pavarur dhe sovran, me vendimin e marrë më 3 gusht nga ish-presidenti Santos, mandati i të cilit përfundoi më 7 gusht.

Ndërkohë që Izraeli në një deklaratë me shkrim përmes ambasadës në Bogota, ka thënë se vendimi është “një surprizë dhe zhgënjim”. Ambasadori izraelit në Kolumbi, Marco Sermoneta në takimin me zëvendës presidenten kolumbiane të shtetit Marta Lucia Ramirez kishte shprehur shqetësimin e tij.

Sermoneta e përshkroi vendimin e Santosit si “një shuplakë ndaj një aleati besnik, i cili është në kundërshtim me afërsinë dhe cilësinë e marrëdhënieve edhe mes vendeve dhe liderëve”.

Kolumbia, e cila ka një popullsi prej mbi 49 milionë banorë, deri në vendimin e marrë nga Santos ishte vendi i vetëm në Amerikën Latine që nuk e njihte shtetin palestinez, i cili shpalli pavarësinë e tij më 15 nëntor 1988.