Komandanti i misionit të udhëhequr nga NATO në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Ozkan Ulutas, është takuar në Beograd me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, gjeneral Milan Mojsilovic, transmeton Anadolu.
Sipas njoftimit, takimi u zhvillua në kuadër të angazhimeve të rregullta të KFOR-it me autoritetet ushtarake të Serbisë.
Palët diskutuan situatën e sigurisë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në zbatim të mandatit të KFOR-it për të garantuar një ambient të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Sipas Zyrës për Informim të KFOR-it, komandanti Ulutas theksoi se KFOR-i mbetet i përkushtuar në sigurimin e stabilitetit dhe krijimin e kushteve për dialog politik midis Beogradit dhe Prishtinës, duke kontribuar për siguri dhe stabilitet rajonal.
KFOR-I bënë të ditur se për mbi 25 vjet ka siguruar paqe dhe stabilitet në Kosovë sipas mandatit të OKB-së, duke u koordinuar me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in. Aktivitetet përfshijnë patrullime, angazhim me komunitetet lokale, mbrojtjen e manastireve, pastrimin e zonave të minuara dhe shkatërrimin e municioneve të paplasura.




