Kremlini: Do të ndjekim nga afër rezultatet e takimit Erdoğan-Zelenskyy

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka bërë përpjekje të madhe për zgjidhjen e çështjes së Ukrainës dhe se do të ndjekin nga afër rezultatet e takimit që ai do të zhvillojë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, transmeton Anadolu.

Në një intervistë për gazetarët lidhur me takimin që presidentit Erdoğan do të zhvillojë në me Zelenskyyn në Turqi, zëdhënësi Peskov tha: “Sigurisht që do të ndjekim nga afër rezultatet e takimit. Marrëdhëniet tona konstruktive të partneritetit me Ankaranë vazhdojnë. Ne i vlerësojmë këto marrëdhënie dhe ndiejmë reciprocitet nga pala turke. Për këtë arsye sigurisht që do të jemi kureshtarë se çfarë do të bisedojnë Erdoğan dhe Zelenskyy mes tyre. Kjo është e rëndësishme”.

“Presidenti Erdoğan ka bërë përpjekje të madhe për zgjidhjen e çështjes së Ukrainës. Erdoğan shumë herë ka treguar përpjekje të madhe për zgjidhjen e problemeve të ndryshme në aspektin e mosmarrëveshjeve me Ukrainën, ka luajtur rolin e ndërmjetësuesit dhe ky rol ka pasur vlerësim të madh nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin”, tha Peskov.

Mund të ketë takim Putin-Erdoğan

Peskov tha se nuk kanë injoruar një kontakt në të ardhmen mes Putinit dhe Erdoğanit. Ai vuri në dukje se për këtë temë do të njoftojnë menjëherë sapo të caktohet një datë.

Zëdhënësi i Kremlinit potencoi mundësinë e negociatave mes Rusisë dhe Ukrainës dhe shtoi se pala ruse nuk ka mbyllur derën asnjëherë ndaj një procesi negociatash në nivele të ndryshme përfshirë edhe nivelin më të lartë.

“Por, deri më tani nuk shohim ndonjë shpresë për këtë proces negocimi”, tha Peskov.

“Rusia mund t’i arrijë objektivat e saj në mënyra të ndryshme”, tha Peskov i cili mbrojti idenë se deri më tani nuk janë përdorur rrugët politike dhe diplomatike për shkak të refuzimit të Kievit dhe mungesës së dëshirës së Washingtonit.

Ndërsa në pyetjen se ku ndodhet themeluesi i “Wagner”-it, Yevgeny Prigozhin zëdhënësi Peskov tha: “Nuk mund të them asgjë. Nuk kemi ndonjë informacion lidhur me këtë çështje. Nuk kam asgjë për të shtuar ndaj atyre që kemi thënë më parë”.

Peskov më parë deklaroi se Kremlini nuk e ndjek Prigozhinin dhe se nuk e ka këtë synim.