Kremlini: Europa i përmend të drejtat e njeriut vetëm kur i intereson

Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov ka akuzuar Evropën se flet për të drejtat e njeriut dhe vlerat evropiane vetëm kur e mendon të përshtatshme dhe është në favor të saj.

“Të drejtat e njeriut dhe vlerat evropiane shihen nga evropianët si diçka fleksibël. Në fakt, ata vazhdojnë linjën e tyre fleksibël: kur është në interesin e tyre, ata u referohen këtyre “vlerave universale”. Kur nuk është në interesin e tyre, ata nuk e bëjnë kurrë”, tha ai në një intervistë me programin Moscow-Kremlim-Putin në kanalin televiziv Rossiya-1, duke komentuar heshtjen e Perëndimit për sulmet me granatime të Ukrainës në rajonin kufitar të Rusisë Belgorod.

Ai kujtoi se për vite me radhë vendet perëndimore kanë injoruar sulmet e bombardimeve në Donbas, kur nuk kishte asnjë operacion special ushtarak.

“Aty njerëzit kanë bërë një sy qorr ndaj fëmijëve të vrarë, mbi varret e fëmijëve në Donbas. Dhe ne nuk dëgjuam asnjë fjalë të vetme dënimi prej tyre,” theksoi ai.