Kremlini: Putin do të zhvillojë vizita zyrtare në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe

Kremlini njoftoi të martën se presidenti rus, Vladimir Putin, të mërkurën do të zhvillojë vizita zyrtare në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), raporton Anadolu.

“Presidenti Putin do të zhvillojë vizita zyrtare nesër në EBA dhe Arabinë Saudite”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, para gazetarëve në një konferencë shtypi në Moskë, duke shtuar se vizitat do të zhvillohen në të njëjtën ditë.

Peskov tha se në agjendën e vizitës së Putinit në rajon do të jenë çështjet që lidhen me tregun e naftës, si dhe çështjet dypalëshe dhe ndërkombëtare.

“Ju e dini që këto diskutime po zhvillohen brenda formatit OPEC+, por, natyrisht, ndërveprimi në këtë fushë është gjithmonë në rendin e ditës”, tha Peskov kur u pyet nëse do të ngrihet tema e naftës.

Peskov shtoi se gjatë bisedimeve në Arabinë Saudite dhe EBA do të diskutohen edhe çështje në nivel dypalësh dhe ndërkombëtar, duke theksuar se shkëmbimet e mendimeve do të përfshijnë edhe konfliktin palestinezo-izraelit.

Ai shtoi se përkundër kësaj, diskutimet në këtë drejtim do të fokusohen kryesisht në marrëdhëniet dypalëshe.

Vizitat e Putinit në të dy vendet dhe në rajonin e Gjirit do të jenë të parat e tij në më shumë se katër vjet.

Peskov njoftoi gjithashtu se presidenti iranian, Ebrahim Raisi, do të mbërrijë në Moskë të enjten për një vizitë zyrtare, ku do të zhvillojë bisedime me Putinin.