Sekretarja e jashtme britanike, Yvette Cooper ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar po mbledh planifikues ushtarakë dhe partnerë ndërkombëtarë për të shqyrtuar mënyra për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, transmeton Anadolu.
Një takim virtual me pjesëmarrjen e më shumë se 40 vendeve, i organizuar nga Mbretëria e Bashkuar, nisi për të diskutuar mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
Diskutimet synojnë të koordinojnë përgjigje diplomatike, ekonomike dhe ushtarake për të siguruar rihapjen e sigurt dhe të qëndrueshme të kësaj rruge strategjike ujore në Gjirin Persik.
Në fillim të takimit, siç raporton Sky News, Cooper tha se planifikuesit ushtarakë po takohen për të shqyrtuar se si të “mobilizojnë kapacitetet tona kolektive mbrojtëse ushtarake, përfshirë çështje si pastrimi i minave apo sigurimi i stabilitetit pasi konflikti të zbutet”.
Ajo theksoi se takimi është i përqendruar në masa planifikimi diplomatik dhe ndërkombëtar, përfshirë “mobilizimin kolektiv të gamës sonë të plotë të mjeteve dhe presioneve diplomatike dhe ekonomike, bashkëpunimin me industrinë, siguruesit dhe tregjet e energjisë si dhe veprime për të garantuar sigurinë e anijeve dhe marinarëve të bllokuar dhe koordinimin efektiv global që nevojitet për të mundësuar hapje të sigurt dhe të qëndrueshme të ngushticës”.
Cooper paralajmëroi se veprimet e Iranit po ndërpresin tregtinë globale.
“Kemi parë Iranin të rrëmbejë një rrugë ndërkombëtare detare për të mbajtur peng ekonominë globale. Kjo po godet rrugët tregtare për Kuvajtin, Bahreinin, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Omanin dhe Irakun, por kjo do të thotë gjithashtu gaz natyror të lëngshëm për Azinë, plehra për Afrikën dhe karburant avionësh për botën”, tha ajo.
“Nuk po ndikon vetëm në normat e kredive hipotekare dhe çmimet e karburanteve, si dhe koston e jetesës këtu në Mbretërinë e Bashkuar dhe në shumë vende të botës po godet sigurinë tonë ekonomike globale”, shtoi ajo.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën ofensivë të përbashkët kundër Iranit më 28 shkurt, duke vrarë më shumë se 1.340 persona deri më tani, përfshirë edhe ish-liderin suprem të Iranit, Ali Khamenei.
Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, si dhe Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane.






