Kryegjenerali amerikan: SHBA-ja nuk do të braktisë Lindjen e Mesme

Mark Milley

SHBA-ja nuk do të “largohet” nga Lindja e Mesme, deklaroi të enjten kryegjenerali amerikan Mark Milley, duke theksuar rolin kritik të rajonit në prioritetet e sigurisë kombëtare të vendit, transmeton Anadolu.

Gjatë një interviste me televizionin “Al-Mamlaka” të Jordanisë, Milley, shef i Shtabit të Përgjithshëm, tha se rajoni është “shumë i rëndësishëm dhe shumë domethënës për Shtetet e Bashkuara për shumë arsye”.

“Ne kemi miqësi dhe partneritete shumë të ngushta dhe duam të sigurohemi që rajoni të jetë i qëndrueshëm. Natyrisht, rajoni është një burim kryesor i resurseve të naftës dhe energjisë për pjesët e tjera të botës”, tha ai.

Milley vuri në dukje se marrëdhënia e gjatë me Lindjen e Mesme do të vazhdojë.

“Nuk mund ta imagjinoj se Shtetet e Bashkuara do të largohen ndonjëherë nga Lindja e Mesme. Unë mendoj se ne do të mbetemi të përkushtuar për shumë, shumë vite dhe dekada të ardhshme”, tha ai.

Siria dhe Iraku

I pyetur nëse SHBA-ja po shqyrton rritjen e numrit të trupave në rajon, Milley tha se numri rritet dhe bie në varësi të “kërcënimit në momentin e caktuar”.

Duke iu kthyer DEASH-it, ai rikujtoi se grupi terrorist u shkatërrua, por se nuk ende nuk është shuar.

“Ideologjia nuk ka vdekur ende, dhe ka disa terroristë të DEASH-it që ende po enden nëpër shkretëtirat e Sirisë dhe deri diku në Irak, kështu që kjo paraqet kërcënim”, tha ai.

Ai shtoi se trupat amerikane do të mbeten në të dy vendet për t’u angazhuar deri në mposhtjen e plotë të grupit.

“Ka ende luftëtarë në grupe të vogla në dhe rreth Sirisë dhe Irakut…dhe nëse ne do të tërhiqeshim papritur, këto forca mund të rigrupohen. Kështu që situata është shumë, shumë më e mirë se sa ishte. Por ende kërkon një nivel përkushtimi. Pra, ne kemi një numër modest forcash në Siri, si dhe kemi forca edhe në Irak”, shtoi ai.

I pyetur nëse SHBA-ja do të largohet nga Siria pas shuarjes së grupit terrorist, Milley tha se ky vendim i përket presidentit Joe Biden dhe qeverisë amerikane.