Kryeministri Dbeibeh: Mercenarët dhe luftëtarët e huaj përbëjnë rrezik në Libi

Abdulhamid Dbeibeh

Kryeministri i Libisë, Abdulhamid Dbeibeh tha se vazhdimi i pranisë së mercenarëve dhe luftëtarëve të huaj në vend përbën një rrezik të vërtetë për procesin politik.

Në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Libinë, që u zhvillua në Nju-Jork, Dbeibeh foli për situatën e fundit politike dhe të sigurisë në vend dhe për zgjedhjet kombëtare që janë planifikuar të mbahen më 24 dhjetor.

Ai tha se kanë formuar një këshill në nivel ministror për të mbështetur procesin zgjedhor.

“Në proporcion me mundësitë ne caktuam fondin për Komisionin e Lartë të Zgjedhjeve edhe pse Dhoma e Përfaqësuesve nuk e ka miratuar ende buxhetin”, shtoi Dbeibeh.

Kryeministri libian vuri në dukje se si Qeveri e Unitetit Kombëtar ata kanë shënuar një përparim të rëndësishëm për bashkimin e institucioneve shtetërore, të cilat ishin të ndara në vend, ndërsa vuri theksin në pengesat që qëndrojnë përpara bashkimit të ushtrisë.

Duke kërkuar mbështetjen e komunitetit për Libinë në lidhje me bashkimin e ushtrisë dhe institucioneve të sigurisë, Dbeibeh e vazhdoi si më poshtë fjalën e tij para Këshillit të Sigurimit të OKB-së:

“Vazhdimi i pranisë së ushtarëve mercenarë dhe të luftëtarëve të huaj në vend përbën një rrezik të vërtetë për procesin politik aktual, për përpjekjet që bëhen për sigurimin e vazhdimësisë së armëpushimit dhe bashkimin e ushtrisë. Qeveria e Unitetit Kombëtar thekson se prania e ushtarëve mercenarë dhe e luftëtarëve të huaj në vend është e papranueshme dhe se është e domosdoshme që këto grupe të largohen menjëherë dhe njëkohësisht nga Libia”. /trt