Kryeministri i Irakut, Ali al-Zaidi, ka mbërritur në Washington përpara bisedimeve me zyrtarë amerikanë, përfshirë presidentin Donald Trump, në vizitën e tij të parë jashtë vendit që nga marrja e detyrës në muajin maj, transmeton Anadolu.
Sipas zyrës së kryeministrit, raporton Agjencia Shtetërore Irakiane e Lajmeve (INA), Zaidi po udhëheq një delegacion qeveritar dhe ekonomik.
Zëdhënësi i qeverisë, Haider al-Aboudi, më herët tha se bisedimet do të përqendrohen në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, ndërsa gjatë vizitës pritet të nënshkruhen marrëveshje për naftën dhe gazin.
Aboudi tha se Iraku dhe SHBA-ja gjithashtu pritet të nënshkruajnë “memorandume mirëkuptimi në sektorët e naftës dhe gazit, përfshirë marrëveshje për sjelljen e kompanive të specializuara amerikane për të rritur kapacitetin e prodhimit dhe për të zhvilluar rrugë alternative eksporti për të zvogëluar ndikimin e ndërprerjeve në Ngushticën e Hormuzit”.
Ai shtoi se bisedimet në Washington gjithashtu do të përfshijnë përpjekjet e vazhdueshme të Irakut për të vendosur të gjitha armët nën kontrollin ekskluziv të shtetit.


