Kryeministri i Sri Lankës jep dorëheqje mes përkeqësimit të krizës ekonomike – VIDEO

Mahinda Rajapaksa

Kryeministri i Sri Lankës, Mahinda Rajapaksa sot ka dhënë dorëheqje, pasi demonstratat antiqeveritare për shkak të përkeqësimit të krizës ekonomike u shndërruan në të dhunshme, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Kryeministri Mahinda Rajapaksa i ka dërguar letrën e dorëheqjes presidentit Gotabhaya Rajapaksa”, thuhet në një deklaratë të shkurtër nga Rohan Welivita, sekretari i kryeministrit për media.

Rajapaksa konfirmoi dorëheqjen e tij në Twitter dhe tha: “Efektive menjëherë, i kam paraqitur presidentit dorëheqjen time si kryeministër”.

Më herët ai i kishte bërë thirrje publikut të tregonte vetëpërmbajtje. “Unë i bëj thirrje publikut tonë të gjerë të kenë përmbajtje dhe të kujtojë se dhuna lind vetëm dhunë. Kriza ekonomike në të cilën ndodhemi ka nevojë për një zgjidhje ekonomike, të cilën kjo administratë është e angazhuar për ta zgjidhur”.

Zhvillimet erdhën disa orë pas përleshjeve midis opozitës dhe mbështetësve të qeverisë në Colombo, me policinë që hodhi gaz lotsjellës.

Në kryeqytet dhe pjesë të tjera të vendit është vendosur orë policore dhe ushtria është thirrur për të ndihmuar policinë në kontrollimin e situatës. /aa