Kryeministri izraelit Bennett shkon për herë të parë në Bregun Perëndimor të pushtuar

Naftali Bennett

“Vizita” ishte “pjesë integrale e mbështetjes së dhënë nga qeveria izraelite për thellimin dhe zgjerimin e vendbanimeve koloniale në territorin e shtetit të Palestinës”, tha Ministria e Jashtme palestineze

Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett, shkoi në Bregun Perëndimor, i cili konsiderohet territor palestinez sipas ligjit ndërkombëtar por është nën pushtimin izraelit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bennett, në një deklaratë në llogarinë e tij në Twitter, njoftoi se ka vizituar njësitë e ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Bennett, i cili shkoi në Bregun Perëndimor për herë të parë që kur mori detyrën më 13 qershor 2021, theksoi se brigada e forcave speciale izraelite, me të cilën u takua, ka arrestuar 18 persona të kërkuar nga Izraeli dhe “parandaloi një sulm terrorist”.

Në postimin e tij, Bennett, duke supozuar se toka palestineze e Bregut Perëndimor i përket Izraelit, tha: “Qeveria izraelite i ofron ushtrisë, policisë dhe forcave të sigurisë kufitare mbështetje të plotë dhe liri lëvizjeje kudo, duke përfshirë Kudsin, Judenë dhe Samarinë (Bregu Perëndimor) dhe pjesën tjetër të vendit”.

“Ne do të vazhdojmë t’i gjejmë terroristët në shtretërit e tyre gjatë natës. Do t’i pengojmë të dalin në rrugët e Izraelit. Nuk do të ndalemi derisa të mposhtim terrorizmin së bashku”, tha ai.

Vizita e Bennett-it nuk u njoftua paraprakisht. Kryeministri izraelit Bennett njihet për mbështetjen e tij për vendbanimet ilegale hebreje në territoret palestineze.

Dënimi i “vizitës” nga Palestina

Ministria e Jashtme palestineze e dënoi vizitën e Bennett-it. Në një deklaratë me shkrim të bërë nga Ministria thuhet se “vizita” ishte “pjesë integrale e mbështetjes së dhënë nga qeveria izraelite për thellimin dhe zgjerimin e vendbanimeve koloniale në territorin e shtetit të Palestinës”.

Gjithashtu theksohet se vizita e kryeministrit izraelit në Bregun Perëndimor dhe vendbanimet ilegale, të cilat konsiderohen si tokë palestineze, është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

“Kjo vizitë bie brenda fushës së politikës së Izraelit për përshkallëzimin e tensioneve në terren dhe përdorimin e ciklit të dhunës për të mbuluar aneksimin gradual të Bregut Perëndimor të pushtuar, duke përfshirë Kudsin Lindor”, thuhet në deklaratë.

Duke komentuar vizitën e Bennett-it, të cilën e përshkroi si një përpjekje për të forcuar dorën kundër liderit të opozitës Benjamin Netanyahu, Ministria palestineze tha: “Është fillimi i një fushate zgjedhore të hershme dhe të padeklaruar izraelite, çmimi i së cilës do të paguhet nga palestinezët me jetët, toka, pasuritë dhe mbijetesën e tyre”.

Gjenden më shumë se 250 vendbanime të paligjshme hebreje në Bregun Perëndimor, të cilin Izraeli e pushtoi në vitin 1967. Më shumë se 500.000 kolonë hebrenj që banojnë në këto vende e bëjnë jetën edhe më të vështirë për palestinezët që jetojnë nën okupim.

Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet hebraike në territorin e pushtuar konsiderohen të paligjshme. /aa