Kryeministri izraelit: Irani “gënjen botën” për aktivitetet e tij bërthamore

Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett pretendon se Irani “gënjen botën” për programin e tij të energjisë bërthamore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bennett publikoi një video-mesazh në përgjigje të pretendimeve të ministrit të Jashtëm të Iranit, Hossein Amir-Abdollahian, i cili në fjalimin në Forumin Ekonomik Botëror (WEF) të mbajtur në Davos të Zvicrës duke iu referuar Izraelit tha se “Fatkeqësisht sionistët përhapin shumë gënjeshtra”.

Bennett në mesazhin e tij foli duke mbajtur në duar disa letra dhe tha se “Po përhapim gënjeshtra? Mos tani, ja këtu mbaj në duar dëshminë e gënjeshtrave tuaja”.

“E shikoni që Irani pasi vodhi dokumentet e fshehta të Agjencisë Atomike (Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike), ata i përdorën këto informacione për të mësuar se çfarë shpresonte të arrinte Agjencia Atomike. Më pas prodhuan histori të sajuara (shpikura) dhe fshehën provat për të shpëtuar nga inspektimet bërthamore”, deklaroi Bennett.

Duke treguar letrat në dorë, kryeministri izraelit tha: “Mirë, po nga e dimë ne këtë? Sepse disa vite më parë konfiskuam planin mashtrues të Iranit. Dhe është pikërisht këtu, në duart e mia”.

Kryeministri Bennett vazhdoi më tej fjalën e tij duke deklaruar se:

“Ja qindra faqe në gjuhën perse të shënuara me vulën e Ministrisë së Inteligjencës së Iranit. Madje, në dokument ka shënime me shkrim dore të zyrtarëve iranianë. Si kjo këtu, që janë shkruar nga ministri i Mbrojtjes i asaj periudhe Fakhrizadeh. Shkruhet kështu: ‘Herët apo vonë (duke iu referuar Agjencisë Atomike) do të na pyesin dhe duhet të shpikim një histori gjithëpërfshirëse për ata’. E shikoni që flitet për një histori të shpikur. Ja, ajo histori e shpikur është këtu. Irani gënjeu botën, Irani edhe tani po gënjen sërish botën dhe bota duhet të jetë e sigurt që Irani nuk mund të shpëtojë pa dhënë llogari”.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian, më 26 maj në kuadër të WEF iu drejtuan pyetje lidhur me pretendimet se Irani ka siguruar dokumentet e IAEA-së (Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike), ku ministri iranian tha se “Fatkeqësisht sionistët përhapin shumë gënjeshtra”. /aa