
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, deklaroi se vendi i saj ndodhet në një “moment vendimtar” në përballjen diplomatike me Shtetet e Bashkuara lidhur me Groenlandën, pasi presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur kërcënimet për ta marrë territorin arktik, madje edhe me forcë.
Duke folur përpara takimeve që do të zhvillohen nga e hëna në Uashington, Frederiksen tha se ekziston një konflikt real mbi Groenlandën, i nxitur edhe nga gara globale për lëndët e para strategjike. Ajo theksoi se çështja shkon përtej fatit të Groenlandës dhe lidhet me parime themelore ndërkombëtare.
Në një postim në Facebook, kryeministrja daneze shkroi se Danimarka është e gatshme të mbrojë vlerat e saj, përfshirë edhe në Arktik, duke theksuar respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje.
Gjermania dhe Suedia kanë shprehur mbështetje për Danimarkën përballë deklaratave të Trump. Kryeministri suedez Ulf Kristersson dënoi retorikën kërcënuese të SHBA-së, duke thënë se një marrje e Groenlandës do të përbënte shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe do të rrezikonte të nxisë veprime të ngjashme nga vende të tjera.
Sipas Kristerssonit, Suedia, vendet nordike, shtetet baltike dhe disa vende të mëdha evropiane qëndrojnë krah Danimarkës në këtë çështje. /mesazhi


