Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi është takuar me kryetarin e Dijanetit të Turqisë, Safi Arpagus, transmeton Anadolu.
Në takim kanë qenë të pranishëm edhe kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir Fetahu, ambasadori i Turqisë në vend, Fatih Usuloy, si dhe përfaqësues të bashkësive fetare islame nga Gjermania, Austria dhe Italia.
Sipas një njoftimi nga Kuvendi, Gashi ka përshëndetur mbajtjen e Samitit të Udhëheqësve Fetarë të Ballkanit në Shkup, duke theksuar se kjo është dëshmi e vullnetit të përbashkët për dialog, mirëkuptim të ndërsjellë dhe bashkëpunim.
Ai e ka theksuar rëndësinë e bashkëjetesës si dhe rolin e bashkësive fetare në avancimin e saj dhe në forcimin e tolerancës midis popujve të rajonit.
Kryetari i Dijanetit, Arpagus ka theksuar organizimin e suksesshëm të Samitit dhe rëndësinë e bashkëpunimit midis bashkësive fetare.
Ai ka nënvizuar se bashkëjetesa që ka ekzistuar në rajon me shekuj kontribuon në forcimin e paqes, besimit të ndërsjellë dhe vëllazërisë.
Kreu i BFI-së, Shaqir Fetahu, i është referuar rëndësisë së Samitit dhe mbështetjes nga institucionet në përgatitjen dhe realizimin e tij, duke vënë në dukje se ngjarja ka fituar edhe një rëndësi më të gjerë shtetërore.
Ambasadori turk, Usuloy ka thënë se marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimi i ngushtë midis dy vendeve do të vazhdojnë të zhvillohen në të ardhmen.



