Ballina Artikuj Kush duhet të thotë “Mjaft!”?

Kush duhet të thotë “Mjaft!”?

Ramadan Shkodra

Kush duhet të thotë “Mjaft!”?
(Reagim ndaj shkrimit të Muhamed Kelmendit në profilin e tij në Facebook: “Z. Tërnava, mjaft!”)
Sot, rastësisht, pashë në rrjetet sociale një reagim të profesorit universitar Muhamed Kelmendi, të titulluar: “Z. Tërnava, mjaft!”
Që në titull, bie në sy mënyra urdhërore dhe nënçmuese me të cilën një profesor universitar i drejtohet Kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës. Askush nuk e konteston të drejtën e kujtdo për të kritikuar një institucion apo një personalitet publik, por kritika dhe mungesa e etikës nuk janë e njëjta gjë. T’i drejtohesh një prijësi fetar me gjuhën e urdhrit dhe me një ton cinik nuk i shërben kulturës së debatit, aq më pak kur vjen nga një njeri i botës akademike, prej të cilit pritet maturi, argument dhe respekt institucional.
Shkak për reagimin e z. Kelmendit, sipas tij, është një deklaratë e Myftiut Naim ef. Tërnava e njxerruer nga konteksti lidhur me individë dhe grupe që veprojnë kundër interesave të Bashkësisë Islame. Mirëpo, duke u nisur nga kjo deklaratë, autori ndërton një aktakuzë të tërë ndaj Myftiut dhe Bashkësisë Islame të Kosovës, duke i faturuar këtij institucioni pothuajse çdo fenomen negativ që ka shoqëruar shoqërinë kosovare në dy dekadat e fundit.
I nderuar z. Kelmendi, Myftiu dhe Bashkësia Islame e Kosovës në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë nuk janë marrë me ndërgjegjen apo bindjen fetare të individit. Çështja e besimit dhe e përkatësisë fetare është një e drejtë themelore, e pakontestueshme dhe e pacenueshme. Për këtë nuk kemi pasur dhe as nuk kemi arsye të diskutojmë. Çdo qytetar ka të drejtë të besojë cilëndo fe që dëshiron ose edhe të mos besojë fare. Ne jetojmë në një shoqëri të lirë dhe demokratike, ku kjo e drejtë garantohet dhe respektohet.
Shqetësimi i Myftiut dhe i Bashkësisë Islame nuk ka të bëjë me lirinë e besimit të askujt. Ai lidhet me fushatën e organizuar që prej vitesh zhvillohet kundër Bashkësisë Islame të Kosovës nga Lëvizja e Deçanit dhe organizata të afërta me të, si Lëvizja për Rikthim, Shoqata “Shqiptaria” e të tjera. Në këtë rreshtim është përfshirë edhe TV Arbëria, që vepron në rrjetet sociale, si dhe individë të ndryshëm që e paraqesin veten si intelektualë të përhershëm, madje edhe si gardianë të shqiptarisë.
I nderuar z. Kelmendi, në vendin tonë po ndodh një fenomen paradoksal: njerëz pa përgatitje fetare e teologjike marrin përsipër t’u tregojnë besimtarëve se cilën fe duhet ta besojnë ose nëse duhet të kenë fare fe. E gjithë kjo bëhet në emër të shqiptarisë. Ndërkaq harrojnë se fetë e besimet tonë janë pjesë përbërëse e kulturës dhe trashëgimisë sonë, pjesë e identitetit tonë kombëtar dhe pjesë e pandashme e rrugëtimit historik të popullit shqiptar.
Fatkeqësisht, në këtë fushatë linçuese të Lëvizjes së Deçanit dhe të organizatave të tjera që përmenda më lart, jeni rreshtuar edhe ju. Gjeni kohë t’i bëni gjyqin Myftiut për çështje që nuk janë as në kompetencën e tij dhe as përgjegjësi e tij, por nuk gjeni asnjë fjalë për fushatën denigruese, përçarëse dhe anti shqiptarëve të besimit islam që këto lëvizje zhvillojnë prej vitesh në Kosovë.
Në vend të një analize të balancuar, z. Kelmendi merr rolin e prokurorit. Ai rendit një varg akuzash – nga ekstremizmi dhe terrorizmi, te deklaratat e individëve të caktuar për figurat kombëtare, flamurin shqiptar, madje edhe pretendime për lidhje me shërbime të huaja – dhe të gjitha përpiqet t’i paraqesë si përgjegjësi të drejtpërdrejtë të Myftiut dhe të Bashkësisë Islame të Kosovës. Një qasje e tillë nuk është as objektive dhe as e drejtë. Përgjegjësia individuale nuk mund të shndërrohet automatikisht në përgjegjësi institucionale.
Është e pavërtetë të thuhet se Bashkësia Islame e Kosovës dhe Myftiu Naim ef. Tërnava kanë heshtur përballë fenomeneve që kanë dëmtuar fenë, shoqërinë apo shtetin. Përkundrazi, në kohën kur Kosova u përball me sfidën e radikalizmit dhe të rekrutimit të të rinjve në organizata terroriste, BIK-u ishte ndër institucionet e para që e dënoi publikisht këtë fenomen, u distancua qartë prej tij dhe bashkëpunoi me institucionet përgjegjëse. Po kështu, edhe për çdo devijim individual nga misioni fetar apo etik, institucioni ka pasur qëndrimet dhe procedurat e veta, brenda kompetencave që i njeh ligji dhe statuti i tij.
Po aq e padrejtë është edhe përpjekja për të krijuar përshtypjen se largimi i disa individëve nga feja islame është pasojë e drejtpërdrejtë e veprimit të Bashkësisë Islame. Një pretendim i tillë shpërfill një realitet të njohur për të gjithë: prej vitesh në Kosovë zhvillohet një fushatë e organizuar kundër Islamit, kundër Bashkësisë Islame dhe kundër Myftiut të saj. Organizata, lëvizje dhe individë të ndryshëm kanë ndërtuar një diskurs të vazhdueshëm denigrues ndaj fesë islame, trashëgimisë islame dhe besimtarëve myslimanë. Gjuha e urrejtjes, stigmatizimi dhe përpjekja për ta paraqitur Islamin si problem për shoqërinë janë bërë pjesë e debatit publik. Të injorosh këtë realitet dhe të kërkosh fajtor vetëm te BIK-u nuk është analizë objektive, por një qasje selektive.
Natyrisht, as Bashkësia Islame nuk është institucion i pagabueshëm. Si çdo institucion tjetër, edhe ajo mund të ketë bërë gabime dhe është e hapur ndaj kritikës së argumentuar. Por kritika humb besueshmërinë kur mbështetet mbi përgjithësime, interpretime tendencioze dhe akuza që nuk bëjnë dallimin midis individit dhe institucionit.
Shoqërisë sonë nuk i duhen më shumë etiketime, përçarje dhe gjuhë urdhërore. I duhen debat, argument dhe përgjegjësi. Prandaj, para se t’ia drejtojmë tjetrit fjalën “mjaft”, ndoshta secili duhet t’ia drejtojë së pari vetes: mjaft me paragjykime, mjaft me përgjithësime dhe mjaft me gjykime që nuk mbështeten në të vërtetën.
Krejt në fund, duhet thënë se për fenë, bashkësitë fetare dhe prijësit fetarë vendosin besimtarët dhe institucionet e tyre. Këto institucione kanë një traditë të gjatë organizimi dhe një kulturë të dëshmuar të harmonisë ndërfetare, themelet e së cilës janë ndërtuar nga prijës të urtë e largpamës.
Bashkësia Islame e Kosovës, prijësit e saj dhe, në këtë vazhdë, Myftiu Naim ef. Tërnava, ndër vite kanë dhënë një kontribut të pamohueshëm për këtë vend, për këtë popull dhe për kultivimin e harmonisë ndërfetare, të paqes shoqërore dhe të vlerave kombëtare. Ky kontribut nuk mund të zbehet nga fushata denigruese, etiketimet apo gjykimet e mbështetura në paragjykime ideologjike.
Lëvizje të tilla, si dhe qasje akademike të mbështetura në premisa përjashtuese, moniste dhe përçarëse, nuk e dëmtojnë aq reputacionin e Bashkësisë Islame të Kosovës, sa krijojnë huti në opinionin publik, nxisin ndasi të panevojshme dhe ushqejnë debate që nuk i shërbejnë unitetit të këtij populli. Kosova ka nevojë për dialog, respekt të ndërsjellë dhe debat të bazuar në fakte, e jo për rikthimin e narrativave ideologjike që historia i ka tejkaluar.
Andaj, shkrimi dhe analiza e z. Kelmendit është tendencioze dhe, fatkeqësisht, përçon një qasje dashakeqe ndaj Bashkësisë Islame dhe prijësve të saj. Duke e lexuar, të krijohet përshtypja se jemi rikthyer në kohën e monizmit, kur për çdo problem shoqëror fajësoheshin feja, besimtarët dhe prijësit fetarë. Atëherë synohej ndërtimi i një shoqërie pa Zot, pa besim dhe pa institucione fetare. Fatkeqësisht, në shumë pjesë të shkrimit tuaj duket se kjo logjikë ende mbijeton.
Thuhet se “ujku e ndërron qimen, por zakonin jo”. Duke lexuar qasjen e z. Kelmendit ndaj fesë dhe Bashkësisë Islame, nuk mund të mos të të vijë ndër mend kjo thënie. Keni ndryshuar kohën, por jo mënyrën e të menduarit. Ende vazhdoni ta shihni fenë si burim të problemit dhe jo si pjesë të zgjidhjes, ndërsa besimtarët dhe institucionet e tyre i trajtoni me të njëjtin paragjykim ideologjik që karakterizonte sistemin monist.
Koha e ideologjive që synonin ta shkëpusnin këtë popull nga Zoti, nga besimi dhe nga vlerat e tij shpirtërore ka përfunduar. Sot, qytetarët e Kosovës janë të lirë të besojnë ose të mos besojnë, ndërsa bashkësitë fetare janë pjesë legjitime e jetës publike dhe e identitetit historik të këtij vendi. Prandaj, përpjekjet për t’u rikthyer ligjërimeve të vjetra, të mbështjella me petkun e “filozofisë” apo të “akademizmit”, nuk i shërbejnë së vërtetës dhe as së ardhmes së këtij populli.