Ky është “fshati special” për jetimët sirianë (FOTO)

Fondacioni Humanitar Turk për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IHH) në partneritet me Organizatën Humanitare të Katarit (RAF) dhe në bashkëpunim me Ministrinë Turke të Familjes dhe Politikave Sociale, në një sipërfaqe prej dhjetë hektarësh në qytezën Rejhanllë (Reyhanlı) në Hataj (Hatay) të Turqisë ka ndërtuar fshatin special të quajtur “Qendra e Banimit për Fëmijët” për 990 jetimë sirianë, i cili do të hapet më 18 maj, raporton Anadolu Agency (AA).

Në vitin e gjashtë të luftës civile në Siri, mbi një milion fëmijë kanë mbetur jetimë. Krahas që përballen me rreziqe si trafikimi me njerëz dhe mafja e organeve, jetimëve në fjalë u mungon edhe dashuria dhe dhembshuria të cilën e meritojnë.

Të vetëdijshëm për këto rreziqe dhe kërcënime, IHH dhe RAF, duke synuar t’i zbusin dhimbjet e jetimëve, në Rejhanllë kanë ndërtuar “Qendrën e Banimit për Fëmijët”, që ka për qëllim të ofrojë të gjitha llojet e mbështetjes, si strehimi, arsimi, shëndetësia, rehabilitimi, veshmbathja, si mbështetja në aspektin psikologjik, në një mjedis shtëpiak.

Gurthemeli i qendrës në fjalë është hedhur më 2 korrik të vitit 2015 me protokollin e nënshkruar me Ministrinë e Familjes dhe Politikave Sociale të Turqisë, ndërsa është ndërtuar në madhësi të një fshati.

Në qendër janë ndërtuar 35 shtëpi dykatëshe për meshkuj dhe 20 për femra me sipërfaqe prej 350 metrash katrorë, ndërsa janë projektuar me kapacitet që në to të qëndrojnë nga 18 fëmijë.

Në katin e epërm të shtëpive ndodhen dhoma gjumi, dhoma për punonjësit që kujdesen për to, tualete dhe banjo. Ndërkaq, në katet e poshtme ndodhen kuzhina, dhoma e ushqimit, dhoma e detyrave, dhoma e leximit, dhoma e lodrave, shatërvane dhe tualete.

Fotografia e Anadolu Agency Shqip

Krahas shtëpive, në qendër do të ketë edhe ndërtesë për shërbime administrative, xhami, tre shkolla që do të ofrojnë arsim fillor dhe të mesëm, një qëndër të madhe rehabilitimi, ndërtesë poliklinike, ndërtesë qendrore për mbledhje dhe shfaqje, sallë sportive të hapur dhe të mbyllur, qendra sociale, apartamente banim për personelin dhe për mysafirët, qendër kulturore për fëmijët, ndërtesë për takim me familjarët, parqe, ara për mbjellje, hapësira për piknik dhe kopsht zoologjik.

Murat Yılmaz, kryetar i Departamentit të Jetimëve pranë IHH-së, për AA tha se IHH ka bërë punë të rëndësishme për jetimët Siri dhe Turqi dhe për të afërmit e tyre. Ai shtoi se kujdesi për fëmijët jetimë duhet të jetë shumë special.

Fotografia e Anadolu Agency Shqip

“Kjo luftë ka prekur më së shumti fëmijët jetimë. Ata kanë pësuar dëme të shumta në aspektin psikologjik. Nga nevojat që ata kanë, neve na lindi ideja për të ndërtuar një qendër banimi për fëmijë. Ky vend është ndërtuar për fëmijët që kanë ngelur jetim si pasojë e luftës dhe në të njëjtën kohë është qendra më e madhe e banimit në botë”, vuri në dukje Yılmaz.

Fotografia e Anadolu Agency Shqip

Yılmaz tha se qendra është sa madhësia e një fshati dhe se aty po ashtu do të bëhet trajtimi i fëmijëve të cilët kanë nevojë për terapi.

“Fëmijëve do t’u jepen edhe para për nevojat ditore. Ata mund të blejnë gjëra nga marketet brenda dhe të shkojnë të presin flokët në berber”, shtoi Yılmaz.

Yılmaz njoftoi se projekti në fjalë gjithashtu ka fituar mbështetje nga shumë organizata joqeveritare nga Malajzia, Indonezia, Britania e Madhe dhe Afrika e Jugut, duke shtuar se Polonia madje ka marrë përsipër ndërtimin e njërës prej shtëpive në qendër.

Fotografia e Anadolu Agency Shqip

Siç tregoi Yılmaz, në 55 shtëpitë në qendër do të angazhohet personel prej 330 punonjësish, ku në çdo shtëpi do të ketë nga gjashtë kujdestarë, kurse të angazhuar do të jenë punonjës të trajnuar dhe certifikuar.

Ndërkaq, sipas Yılmaz, për pajisjet shkollore dhe pagat e mësimdhënësve do të jetë përgjegëse Ministria e Arsimit e Turqisë, kurse Ministria e Shëndetësisë do të kontribuojë në poliklinikat që ndodhen aty.