Lajçaku sot në Beograd takohet me Vuçiqin

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, do të jetë sot në Beograd ku do të diskutojë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Siç është njoftuar nga Presidenca e Serbisë, takimi do të nisë nga ora 13:30.

Vizita e Lajçakut në Beograd vjen pas asaj që pati në Prishtinë të enjten e kaluar.

Lajçak ishte takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Pas takimit ai kishte thënë se ka diskutuar dy çështje, rruga drejt normalizimit dhe po ashtu çështjet aktuale.

Në çështjet aktuale ai ka thënë se është ajo e marrëveshjes për energji dhe çështja e targave.

“Për energji jemi në proces të konsultimit, ka rrezik t’i tërhiqet licenca Elektroserverit, e nuk duam të ndodhë kjo. Për këtë ftuam në Bruksel gjithë aksionarët, si KEDS e Elekstroserver të hënën, ku kemi kaluar ditën duke diskutuar situatën. Ka qenë me rëndësi për mua t’i sjelli konkludimet e diskutimit te kryeministri e të bisedojmë rrugën para. Do të jem në Beograd të hënën me të njëjtin synim dhe agjendë. Dua të gjej zgjidhje”, ka thënë Lajçak.