Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Leksionet kosovare për Shqipërinë jo vetëm në futboll

Leksionet kosovare për Shqipërinë jo vetëm në futboll

Ca diferenca mes dy shoqërive dhe më e shëmtuara që na vjen nga andej

Me një fitore spektakolare ndaj Sllovakisë 4-3, vendit që nuk e njeh, njëherësh vendit të proserbit Mirosllav Lajçak, mu në Bratislavë, Kosova pos që iu afrua pjesëmarrjes në Botëror, por dhe i dha dhe një leksion Shqipërisë se si fitohet kur je dy herë në disavantazh, madje në fushën e kundërshtarit. Sepse paralel, Shqipëria nga avantazhi ndaj Polonisë në pjesën e parë, humbi nga dy gola të kundërshtarit në të dytën, duke humbur kësisoj shansin për Botëror.

Mbrëmë u konfirmua dhe fakti i padiskutueshëm tashmë se është pikërisht një injektim i talenteve kosovare në kombëtaren shqiptare vite më parë që mundësoi rritjen e futbollit kuqezi në sfidat ndërkombëtare.

Por nuk është vetëm futbolli ku Kosova e lë në bisht Shqipërinë, edhe pse kosovarët vijojnë, për arsye të ndryshme, të kenë një veneracion të pashërueshëm për shtetin amë.

Fjala vjen, nëse sheh infrastrukturën e Kosovës, urbane e rurale, por sidomos rurale, vështirë te besosh që aty para njëzet e saj vitesh ishte tokë e djegur nga lufta. Në Kosovë, edhe fshatrat më të humbur i kanë rrugët e shtruara.

Dhe ajo që vërtet bën diferencën është gjallëria e qyteteve. Edhe pse ikje ka dhe në Kosovë, jeta zien, biznesi gjithashtu. Dhe nuk ka nevojë për statistika, mjafton syri i lirë. Qytetet në Shqipëri janë drejt një asfiksie sociale e ekonomike e jo vetëm ato të nivelit të dytë e tretë, ndërsa në Kosovë ato janë të gjalla, plot jetë, ku ikjet nuk kanë mundur të cenojnë një ekuilibër social të vendour në dekada mes emiracionit dhe qëndrimit në vend.

Ka dhe shumëçka tjetër ku Kosova i jep leksion Shqipërisë, ku përfshihet madje dhe basketbolli, i cili mbush plot sallat sportive, por që për ironi, në Shqipëri vetëm një gjë është marrë nga Kosova, më e shëmtuara e kësaj të fundit, shija e tmerrshme kinse muzikore e një dum-dumi dhe rrapa-zhdrrapaje kosovare që ka infektuar pjesën më të pakultivuar të rinisë në Shqipëri, e cila e dëgjon në makina atë që ndryshe përbën një kriminalizim të shpirtit. Për njeriun normal, është diç që të vjen për të vjellë. Por ja që e kemi peshqesh nga Kosova! /tesheshi