Liderët e G20 zotohen për veprime konkrete për klimën

Udhëheqësit botërorë të takuar në samitin e G20 në Romë kanë rënë dakord që vendet duhet të ndërmarrin veprime “kuptimplota” për të parandaluar ngrohjen globale.

Udhëheqësit e ekonomive më të pasura të botës megjithatë u kritikuan për ofrimin e pak angazhimeve konkrete për të arritur objektivin.

“Ne e pranojmë se frenimi i rritjes së temperaturës globale në 1.5 gradë Celsius do të ketë ndikime shumë më të ulëta në ndryshimet klimatike sesa nëse ajo është 2 gradë Celsius”, thuhet në komunikatën përfundimtare të 31 tetorit.

Marrëveshja e Parisit për klimën parasheh që vendet të angazhohen për të mbajtur rritjen e temperaturës globale në 1.5 gradë Celsius krahasuar me periudha para-industriale. Në deklaratën e përbashkët nuk tregohet saktësisht se si do të arrihet kjo.

Deklarata përfundimtare e samitit të Grupit të 20 (G20) në Romë përfshin një angazhim për të arritur neutralitetin e emetimeve të karbonit “nga ose rreth mesit të shekullit”.

Vendet megjithatë janë zotuar të ndalojë financimin ndërkombëtar të impianteve të reja të qymyrit deri në fund të këtij viti – një porosi e fuqishme për vendet e varura nga qymyri si Kina, Rusia dhe India.

Por, liderët e G20-ës nuk ranë dakord për t’i dhënë fund energjisë së qymyrit në vendet e tyre. Grupi G20, i përbërë nga 19 vende dhe Bashkimi Evropian, përbën 80% të emetimeve në botë.

Aktivistët e mjedisit kanë shprehur zhgënjimin e tyre për draftet fillestare të komunikatës, duke e thënë se ajo nuk ishte mjaft e ashpër.

Kishte shqetësime se arritja e një marrëveshjeje nuk do të ishte e lehtë, pasi midis liderëve që nuk u paraqitën personalisht në samit është edhe presidenti i Kinës, Xi Jinping.

Kina është ndotësi më i madh në botë.

Planet jonë tani është të paktën 1.1 gradë Celsius më i nxehtë se niveli para-industrial. Shkencëtarët e klimës duan që ngrohja të kufizohet në 1.5 gradë Celsius për të parandaluar katastrofën klimatike. /euronews