Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Lituania paralajmëron: Rusia mund të synojë infrastrukturën kritike për të testuar unitetin...

Lituania paralajmëron: Rusia mund të synojë infrastrukturën kritike për të testuar unitetin e NATO-s

Gitanas Nauseda

Presidenti lituanez Gitanas Nauseda paralajmëroi sot se Rusia mund të jetë duke përgatitur sulme të synuara ndaj infrastrukturës kritike në Lituani dhe shteteve të tjera baltike për të testuar unitetin e NATO-s, duke cituar vlerësime të inteligjencës, transmeton Anadolu.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve BNS, Nauseda tha se shërbimet e inteligjencës lituaneze kanë marrë indikacione se Rusia po planifikon operacione të kufizuara “kinetike” që synonin infrastrukturën kritike, megjithëse nuk janë identifikuar vende ose kohë specifike.

“Ka sinjale të tilla që marrim nga shërbimet tona”, tha ai duke shtuar se inteligjenca tregon për planifikim dhe jo për operacione të finalizuara.

“Nuk mund ta mohoj se kemi informacione të tilla dhe se po flasim për operacione kinetike, jo në shkallë të gjerë, por megjithatë operacione kinetike të synuara, të cilat, me shumë gjasa, mund të drejtohen në objektet e infrastrukturës kritike”, tha Nauseda.

Ai tha se sulmet mund të marrin forma të ndryshme që synojnë dëmtimin fizik të infrastrukturës, përfshirë sabotimin ose sulmet me dronë. Sipas tij, Lituania tashmë ka forcuar sigurinë rreth infrastrukturës kryesore të transportit dhe energjisë.

Nauseda theksoi se objektet janë kritike jo vetëm më vete, por edhe për ruajtjen e infrastrukturës më të gjerë të vendit, përfshirë sinkronizimin e Lituanisë me rrjetin elektrik të Evropës kontinentale.

Presidenti lituanez nuk pranoi të komentojë mbi rotacionin e ardhshëm të trupave amerikane në Lituani, duke thënë se diskutimet me Washingtonin janë duke vazhduar dhe nuk janë marrë vendime përfundimtare.