Lumi Drina, simbol i natyrës së pastër dhe të paprekur i kënduar në muzikën popullore boshnjake të quajtur “sevdalinka”, sot në zonën e Vishegradit në Bosnje e Hercegovinë është i mbuluar nga sasi të mëdha mbeturinash, çka aktivistët mjedisorë e përshkruajnë si një katastrofë serioze ekologjike, raporton Anadolu.
Në sipërfaqen e liqenit akumulues të Vishegradit, ashtu si edhe vitet e kaluara, notojnë tonelata mbeturinash, përfshirë shishe plastike, ambalazhe ushqimi dhe pijesh, pjesë mobiliesh, pajisje shtëpiake, goma të vjetra, madje edhe kafshë të ngordhura. Në vendet ku grumbullohen mbeturinat, uji mezi dallohet, ndërsa nga shtresat e dendura të mbeturinave përhapen erëra të pakëndshme.
Aktivistët mjedisorë paralajmërojnë se problemi nuk është i ri dhe se përsëritet vit pas viti, veçanërisht pas reshjeve të dendura dhe rritjes së nivelit të ujit.
Dejan Furtula nga organizata ekologjike “Eko Centar” tha se pamjet nga Drina janë “dekurajuese”, duke theksuar se këtë vit në atë zonë kanë përfunduar mbi 15.000 metra kub mbeturina.
Furtula akuzoi ministritë dhe institucionet përgjegjëse për neglizhencë shumëvjeçare të problemit, pavarësisht paralajmërimeve të shumta. Sipas tij, bëhet fjalë për një çështje ndërkombëtare, pasi ndotja vjen nga Bosnje e Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi.
“Lumenjtë në të gjithë rajonin po shndërrohen në deponi”, tha Furtula, duke shtuar se ekzistojnë projekte evropiane për monitorimin e mbeturnave përgjatë rrjedhave ujore, por që kërkojnë bashkëfinancim lokal të cilin organizatat e vogla nuk mund ta sigurojnë, ndërsa institucionet më të mëdha, sipas tij, nuk kanë treguar interes.
Ai paralajmëroi se ndotja ka pasoja serioze për florën dhe faunën, biodiversitetin e lumit Drina, por edhe për shëndetin e njerëzve. Mbeturinat e mbledhura nga lumi, shtoi ai, përfundojnë në deponinë e qytetit të Vishegradit, e cila shpesh përfshihet nga zjarret.
Organizatat mjedisore paralajmëruan një aksion të madh rinor për pastrimin e lumenjve në muajin maj dhe u bënë thirrje qytetarëve nga të gjitha vendet e rajonit të përfshihen.
Edhe pse një thënie popullore thotë se është e vështirë të “drejtohet Drina e shtrembër”, aktivistët paralajmërojnë se problemi i ndotjes së lumit prej vitesh pothuajse as që po tentohet të zgjidhet, ndaj, sipas tyre, kriza ekologjike rikthehet vazhdimisht – gjithnjë e më serioze dhe gjithnjë e më e dukshme.





