Libani ka shpallur ditë zie kombëtare pas një vale sulmesh izraelite që lanë të paktën 254 të vrarë dhe mbi 1,165 të plagosur brenda një dite, të mërkurën. Autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se sistemi spitalor është nën presion të madh për shkak të numrit të lartë të viktimave.
Kryeministri i Libanit, Nawaf Salam, deklaroi se vendi po mobilizon të gjitha burimet politike dhe diplomatike për të ndalur atë që e quajti “makineri vrasëse”.
Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Libani nuk përfshihet në armëpushimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Edhe zëvendëspresidenti amerikan JD Vance theksoi se një premtim i tillë nuk është bërë.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi se kushtet e marrëveshjes SHBA-Iran janë të qarta dhe se Uashingtoni duhet të zgjedhë midis armëpushimit ose vazhdimit të luftës përmes Izraelit.
Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë në Liban, Rakan Nassereddine, u bëri thirrje vendeve ndërkombëtare për ndihmë urgjente për përballimin e situatës.
Gjithashtu, Al Jazeera Media Network dënoi vrasjen e gazetarit të saj në Gaza, Mohammed Wishah, duke e cilësuar si një “krim të rëndë”.
Situata në rajon mbetet e tensionuar, ndërsa përpjekjet diplomatike për armëpushim vazhdojnë. /mesazhi




