Por, ndërsa Gjukanoviçi fitoi, këto zgjedhje ishin një humbje e madhe për faktorin politik shqiptar, që deri tani ka arritur të nxjerrë vetëm një deputet, Genc Nimanbegun nga lista “Shqiptarët të Vendosur”. Humbja e partive shqiptare ishte një humbje e paralajmëruar për shkak të ndarjeve e përçarjeve të thella mes tyre.
Në Mal të Zi ka plot 8 parti shqiptare për 20 mijë votues shqiptarë që ka i gjithë Mali i Zi dhe këto 8 parti në këto zgjedhje dolën me tre koalicione të ndryshme apo tre lista. Kjo bëri që shqiptarët të kenë momentalisht dhe përfaqësimin më të ulet që kanë pasur ndonjëherë në këto 25 vite, me vetëm një deputet në Parlament. Nëse shqiptarët do të dilnin me një koalicion të vetëm do kishin mundësi të merrnin deri në 5 mandate, duke u bërë vërtet një faktor përfaqësues dhe i rëndësishëm i pakicave shqiptare në Mal të Zi.
Ndërkohë, ndarja e mandateve sipas votave të marra, kur janë numëruar rreth 95% e votave, është partia Demokrato-Socialiste e Milo Gjukanoviçit (36 mandate), proserbët Fronti Demokratik (18 mandate), Çelsi (9 mandate), Demokratët (9 mandate), Partia Social-Demokrate (4 mandate), Partia e Boshnjakëve (2 mandate), Partia Kroate (1 mandat) dhe Partia Shqiptare (1 mandat).