Maqedonia e Veriut dhe Jordania nënshkruajnë memorandum për bashkëpunim në bujqësi

Maqedonia e Veriut dhe Jordania nënshkruan një memorandum bashkëpunimi në fushën e bujqësisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut përmes një komunikate për media.

Në njoftim thuhet se Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së tij në Jordani, pati një takim me ministrin e Bujqësisë së Jordanisë, Khalid Al Hanifat.

Sipas njoftimit, Osmani dhe Al Hanifat nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Mbretërisë Hashemite të Jordanisë për bashkëpunim në fushën e bujqësisë.

Në këtë njoftim theksohet se ky memorandum përfaqëson marrëveshjen e parë ndërkombëtare të nënshkruar mes qeverive të dy vendeve.

“Me nënshkrimin e këtij dokumenti, ne po krijojmë bazën për intensifikimin e shkëmbimit të produkteve ushqimore dhe bujqësore, veçanërisht në drejtim të rritjes së eksportit të frutave, perimeve dhe mishit të qengjit nga Maqedonia e Veriut në Jordani dhe rritjen e importit të vajit të ullirit dhe hurmave nga Jordania në Maqedoninë e Veriut”, tha Osmani.

Ai theksoi se kjo është veçanërisht e rëndësishme për të dy vendet, duke marrë parasysh sfidat aktuale me sigurinë ushqimore në këtë rajon dhe nevojën për të diversifikuar furnizimin me produkte ushqimore.

“Nga ana tjetër, ne kemi potencial për të cilin kemi nevojë për tregje të reja dhe nuk kam dyshim se ky do të jetë një hap tjetër drejt thellimit të marrëdhënieve dypalëshe për të mirën e qytetarëve të të dyja vendeve”, tha Osmani.

Të dy bashkëbiseduesit theksuan se është veçanërisht i rëndësishëm shkëmbimi i përvojave në fushën e politikave bujqësore, zbatimi i masave specifike për përmirësimin e prodhimit bujqësor, sigurinë ushqimore dhe menaxhimin e ujit, për çka u angazhuan për realizimin e projekteve të ardhshme me interes për të dyja palët.