Maroku: Negociatat me Spanjën për marrëdhëniet vazhdojnë me “ritëm të kënaqshëm”

Mustapha Baytas

Qeveria e Marokut ka njoftuar se diskutimet me Spanjën mbi zbatimin e një udhërrëfyesi për marrëdhëniet po vazhdojnë me një “ritëm shumë të kënaqshëm”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur pas një takimi të kabinetit, zëdhënësi i qeverisë marokene, Mustapha Baytas tha se çështje të ndryshme midis dy vendeve po vlerësohen një nga një.

Të martën, zëdhënësja e qeverisë spanjolle, Isabel Rodriguez tha se vendi i saj është i kënaqur me “rezultatet pozitive” që janë arritur që kur u pajtuan për një “udhërrëfyes të ri” për të përmirësuar lidhjet me Marokun.

Rodriguez po ashtu theksoi se Madridi dhe Rabati kanë përshëndetur rezultatet pozitive të udhërrëfyesit, i cili mundësoi një përparim në shumë çështje dypalëshe me interes të përbashkët.

Më parë, Spanja ka mbështetur pavarësinë e Saharasë Perëndimore. Megjithatë, pasi vitin e kaluar u rritën tensionet diplomatike me Marokun, qeveria spanjolle pranoi qëndrimin se Sahara Perëndimore duhet të jetë një rajon autonom me Marokun.

Duke mbrojtur qëndrimin e tij në parlamentin spanjoll të mërkurën, kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez tha se vizioni i Marokut është mënyra më e “besueshme dhe realiste” për t’i dhënë fund konfliktit të vazhdueshëm.

Algjeria, një mbështetëse e vendosur e pavarësisë së Saharasë Perëndimore, e ka përshkruar ndryshimin e qëndrimit të Spanjës si “tradhti”. /aa