Mbajtja e lidhjeve farefisnore është prej adhurimeve më të mira

Mbajtja e lidhjeve farefisnore është fisnikëri, moral i lartë dhe edukatë, e më e rëndësishme se të gjitha këto është prej adhurimeve më të mira, më të larta, më të begata e më të dobishme në dunja e ahiret.
Mbajtja e lidhjeve farefisnore është nevojë e natyrshme për njeriun, domosdoshmëri shoqërore, gjë që e kërkon natyra e pastër njerëzore. Me anë të lidhjeve farefisnore njeriu gjen kënaqësinë e shoqërimit me njerëzit dhe të mirat në jetën e vet.
Shumë njerëz sot nuk e përmbushin këtë hak nga mosdija rreth gjykimit të këtij haku, nga hutimi e harresa ndaj vlerës së tij, si dhe ndaj rrezikut të mospërmbushjes së tij.
Allahu i Lartësuar thotë: “Adhurojeni Allahun dhe mos adhuroni të tjerë përveç Tij, dhe silluni mirë me prindërit dhe të afërmit.”
Profeti ﷺ ka thënë: “Ai i cili beson Allahun dhe Ditën e Fundit le t’i mbajë lidhjet farefisnore.”
Profeti ﷺ ka thënë: “Vepra të cilës i vjen shpërblimi para të gjithave është mbajtja e lidhjeve farefisnore. Ndërsa vepra të cilës i vjen dënimi më shpejt se të tjerave është padrejtësia dhe shkëputja e lidhjeve farefisnore.”
Profeti ﷺ ka thënë: “Ai i cili dëshiron t’i zgjatet jeta dhe t’i shtohet rrizku, le të mbajë lidhjet farefisnore.”

Nga: Hoxhë Fidaim Fazliu