Mbeturinat nga tërmeti në Turqi sa sipërfaqja e qytetit të Barcelonës – VIDEO

Pas tërmetit më vdekjeprurës në historinë e saj moderne, Turqia tani përballet me detyrën e frikshme të asgjësimit të qindra milionë tonëve rrënoja, disa prej tyre potencialisht të dëmshme.

Tërmeti dhe pasgoditjet e 6 shkurtit lanë të paktën 156,000 ndërtesa të shembura plotësisht ose të dëmtuara deri në pikën ku ato kërkojnë prishje, kanë bërë të ditur autoritetet turke.

Programi i OKB-së për Zhvillim (UNDP) thotë se 116-210 milionë tonë rrënoja rezultojnë se janë ekuivalente me një sipërfaqe prej 100 km katror, nëse do të grumbulloheshin në një lartësi prej 1 metër. Kjo është përafërsisht madhësia e Barcelonës.

Presidenti turk, Tayyip Erdogan, i cili po përballet me zgjedhjet që mund të mbahen më 14 maj, është zotuar të rindërtojë shtëpitë brenda një viti, megjithëse ekspertët paralajmëruan se siguria duhet të jetë përpara shpejtësisë.

Një zyrtar tha se tenderët dhe kontratat ishin përfunduar tashmë për disa projekte dhe se siguria nuk do të rrezikohej.

Në shumë qytete, ekipet e shpëtimit janë zëvendësuar nga mijëra kamionë dhe ekskavatorë që rrëmbejnë malet e betonit. Punëtorët në qytetin Antakya, në provincën Hatay thanë se mund të duhen disa ditë për të pastruar mbeturinat e një ndërtese.

UNDP-ja tha se fatkeqësia gjeneroi të paktën 10 herë më shumë rrënoja sesa tërmeti i fundit i madh turk në vitin 1999.

Pjesa më e madhe e rrënojave që janë hequr deri më tani janë ruajtur në deponitë e përkohshme aty pranë, duke ngritur shqetësime për ndotjen. Ekziston frika se materialet e vjetra të ndërtimit mund të përmbajnë asbest, një fibër kancerogjene e ndaluar në shumë vende, duke përfshirë Turqinë, thanë disa ekspertë për Reuters.

Zëvendësministri i Mjedisit, Mehmet Emin Birpinar tha në një postim në Twitter se sistemet e frenimit të pluhurit po përdoren për të parandaluar qarkullimin e substancave të dëmshme si azbesti.