Mbi 10 mijë emigrantë janë grumbulluar në kufirin Kolumbi-Panama për të shkuar në SHBA

Në rajonin administrativ Antioquia në Kolumbi mbi 10 mijë emigrantë kryesisht nga Haiti janë mbledhur në kufi për të shkuar në SHBA, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mbi 10 mijë emigrantë që janë mbledhur në Necocli për shkak të trazirave dhe problemeve ekonomike në vendet e tyre, duan të kalojnë kufirin e Kolumbisë me Panamanë për të mbërritur në SHBA.

Zyrtarët njoftuan se qyteza ka pritur një popullatë intensive shumë mbi kapacitetin e saj dhe ka tërhequr vëmendjen se situata po përkeqësohet çdo ditë e më shumë për shkak të kushteve shëndetësore dhe ushqyerjes së pamjaftueshme.

Përfaqësuesi i Necocli-t, Wilfredo Menco Zapata tha se “Aktualisht ndodhemi përballë një krize serioze. Ka shumë emigrantë që kanë nevoja specifike, ndihma ndaj tyre është e pamundur të sigurohet dhe shumica e këtyre njerëzve përjetojnë kushte shumë të rrezikshme dhe probleme të ushqyerjes së pamjaftueshme. Mungesa e ushqimit, strehimit dhe pelenave për fëmijë ka arritur kulmin”.

Në qytezën ku rreth 10 mijë emigrantë presin në skela për të kaluar kufirin e Panamasë, shumica e njerëzve qëndrojnë nëpër çadra në plazhe.

– Vendkalimi Darien

Vendkalimi Darien i cili është një rajon për mbrojtjen e jetës natyrore të mbuluar me pyje, këneta dhe male, është destinacion i rrezikshëm për kalimin e emigrantëve.

Ky vendkalim i cili është pika e vetme ku pritet rruga Pan-Amerikane që lidh me njëra-tjetrën Amerikën e Veriut dhe Amerikën e Jugut, mund të kalohet vetëm në këmbë përmes shtigjeve pyjore.

Emigrantët udhëtojnë nën rrezikun e zhytjes në këneta dhe sulmeve nga kafshët e egra.

Pavarësisht rreziqeve të ndryshme dhe kërcënimeve nga kontrabandistët e qenieve njerëzore, emigrantët ëndërrojnë të mbërrijnë në SHBA duke kaluar në Panama, Guatemala dhe më pas në Meksikë.