Mbi 500 viktima nga cikloni “Freddy” në juglindje të Afrikës – VIDEO

Është rritur në 522 numri i viktimave nga cikloni “Freddy” i cili muajin e fundit goditi pjesën juglindore të Afrikës, transmeton Anadolu.

Si pasojë e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut që cikloni ka shkaktuar, kanë humbur jetën 438 persona në Malavi, 67 në Mozambik dhe 17 në Madagaskar.

Kombet e Bashkuara njoftuan se fatkeqësia ka prekur negativisht 500 mijë njerëz dhe se vetëm në Malavi janë zhvendosur 345 mijë njerëz.

Teksa personat që kanë humbur shtëpitë e tyre përpiqen të strehohen në kampe të improvizuara, në disa rajone nuk mund të sigurohet qasje për shkak të dëmtimit të rrugëve.

Ndërkohë vazhdojnë punimet e kërkim-shpëtimit për personat e zhdukur dhe të mbeturit nën ujë.

Organizata Botërore Meteorologjike deklaroi se “Freddy” i cili vazhdon prej mëse një muaji, mund të jetë cikloni që ka vazhduar më gjatë në histori.

Presidenti i Malavit, Lazarus Chakwera shpalli 14 ditë zie për personat që kanë humbur jetën nga cikloni “Freddy”.