Media izraelite: Netanyahu takoi “fshehurazi” ministrin e jashtëm maroken

KUDS (AA) – Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, shtatorin e kaluar ka realizuar një takim sekret me ministrin e Jashtëm maroken, Nasser Bourita, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas kanalit izraelit 13, takimi është zhvilluar në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, ku ata kanë diskutuar normalizimin e lidhjeve midis Izraelit dhe Marokut.

“Netanyahu gjithashtu përmendi se po planifikonte të vizitojë publikisht Marokun”, citohet të ketë thënë një zyrtar izraelit.

Izraeli dhe Maroku nuk kanë marrëdhënie diplomatike.

Sipas kanalit izraelit, bisedimet mes Netanyahut dhe Bouritas gjithashtu kanë përfshirë çështjen e Iranit.

Ndërkohë, zyra e Netanyahut nuk ka pranuar të konfirmojë takimin.

“Ne nuk komentojmë rreth kontakteve me vendet që Izraeli nuk ka marrëdhënie formale”, tha zyra e kryeministrit izraelit.

Autoritetet marokene gjithashtu nuk e kanë komentuar raportimin e medias izraelite.

Me përjashtim të Jordanisë dhe Egjiptit, të cilat kanë nënshkruar marrëveshje paqësore me Izraelin, asnjë shtet arab nuk ka marrëdhënie zyrtare me Tel Avivin.