Meka nën kujdesin e grave, për herë të parë ushtare femra në vendin e shenjtë

E frymëzuar nga karriera e të atit, Mona vendosi t’i bashkohej ushtrisë dhe grupit të parë të grave saudite që kujdesen për sigurinë në vendet më të shenjta të Islamit.

Që prej muajit prill, dhjetëra gra ushtare janë bërë pjesë e shërbimeve të sigurisë që monitorojnë pelegrinët në Mekë dhe Medina, dy vendet e lindjes së Islamit.

E veshur me uniformën ushtarake ngjyrë kaki, pantallona të gjera dhe një berretë të zezë mbi vellon që i mbulon flokët, Mona e kalon turnin e saj duke lëvizur në Xhaminë e Madhe të Mekës.

“U futa në ushtri për të ndjekur gjurmët e babait tim, që u prehtë në paqe dhe ja ku jam, duke qëndruar në Xhaminë e Madhe në Mekë, vendi më i shenjtë. Kujdesi për besimtarët është një detyrë fisnike”, tregon ushtarja saudite.

Princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman ka çuar përpara reforma ekonomike dhe sociale në kuadër të planeve të tij për të modernizuar mbretërinë konservatore myslimane dhe për të tërhequr investime të huaja.

Në kuadër të planit të tij, i koduar si “Vizioni 2030”, princi hoqi ligjin që ndalonte gratë të drejtonin makinën, u lejoi grave të udhëtonin pa lejen e gardianëve dhe u garantoi atyre më shumë kontroll për çështjet familjare.

Së fundmi, për shkak të pandemisë së coronavirusit, mbretëria e ka kufizuar pelegrinazhin në Mekë vetëm për qytetarët e saj, duke u ndaluar aksesin për të dytin vit rresht miliona vizitorëve nga vende të tjera. /euronews