Meksikë, në operacionin e policisë shpëtohen më shumë se 150 emigrantë

Në dy operacione të njëkohshme të organizuara nga forcat e sigurisë kundër trafikantëve të qenieve njerëzore në Meksikë, u shpëtuan 156 emigrantë, kryesisht venezuelanë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas mediave meksikane, në shtetet Chiapas dhe Veracruz, policia ka zhvilluar operacione kundër trafikantëve për të shpëtuar emigrantët.

Gjatë operacioneve të njëkohshme, policia ndaloi 15 automjete dhe shpëtoi 156 emigrantë të parregullt nga kontrabandistët që po i mashtronin për t’i çuar në SHBA.

Shumica e emigrantëve të shpëtuar ishin nga Venezuela, por edhe nga Guatemala, Nikaragua, Ekuadori, El Salvadori, Kuba dhe Hondurasi.

Në kuadër të operacionit u kapën 5 kontrabandistë ndërsa emigrantët u transferuan në vende të sigurta.

Destinacioni i tyre është SHBA-ja

Emigrantët që përpiqen të arrijnë në SHBA për të krijuar një jetë më të mirë për shkak të problemeve të tilla si dhuna, papunësia dhe varfëria në vendet e tyre bien shpesh në duart e trafikantëve të qenieve njerëzore.

Një numër i madh emigrantësh të parregullt, të cilët prej shumë vitesh janë larguar nga vendet e Amerikës Qendrore, po përpiqen të arrijnë në SHBA nëpërmjet Guatemalës dhe Meksikës.