Meksikë, një grup i armatosur rrëmben 21 persona

Në Meksikë persona të armatosur bastisën qytetin Pantelho të provincës Chiapas, dogjën disa shtëpi, automjete dhe rrëmbyen 21 persona, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zyrtarët në Chiapas thanë se rreth 200 persona të maskuar dhe të armatosur, të cilët pretendohet se janë anëtarë të grupit të dalë së fundmi “El Machete”, kanë bastisur qytetin Pantelho një ditë më parë.

Duke theksuar se “El Machete” u themelua me pretendimin për të luftuar sulmet e karteleve të drogës që vepronin në Chiapas, autoritetet deklaruan se persona të armatosur po ecnin nëpër qytet me justifikimin e gjetjes së kriminelëve.

Zyrtarët thanë se grupi i armatosur dogji disa shtëpi, dëmtoi bashkinë e qytetit dhe rrëmbeu 21 persona dhe se qytetarët e Pantelho-s ishin në panik.

Aktivisti Pedro Gomez i cili jeton në rajon tha se grupi i vuri flakën të paktën 3 automjeteve dhe 10 shtëpive.

Nisin hetimet

Një zyrtar nga Zyra e Prokurorit të Chiapas, i cili nuk dëshironte të deklarohej me emër tha se ishte nisur një hetim për incidentin në fjalë.

Zyrtari tha se personat e armatosur ishin anëtarë të “El Machete”.

Javën e kaluar, persona të armatosur në Meksikë njoftuan se kishin formuar një grup të quajtur “El Machete”. Duke u deklaruar si “forcat mbrojtëse”, grupi ishte zotuar të luftonte krimin e organizuar.