Meksikë, të paktën 39 emigrantë të vdekur nga zjarri në një objekt emigrantësh – VIDEO

Autoritetet në Meksikë kanë bërë të ditur se të paktën 39 emigrantë kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që kaploi një objekt emigrantësh, transmeton Anadolu.

Presidenti meksikan, Andres Manuel Lopes Obrador, tha se zjarri në objektin e emigrantëve në qytetin Ciudad Juarez të provincës Chihuahua shpërtheu pasi emigrantët zbuluan se do të dëbohen. Shumica e azilkërkuesve të Amerikës Qendrore i vunë flakën krevateve, duke shkaktuar zjarrin vdekjeprurës.

Por Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Meksikës dhe Instituti Kombëtar i Migracionit (INM) nuk i kanë konfirmuar raportet. Sipas INM-së, 29 emigrantë u plagosën dhe u transferuan në kushte të rënda në katër spitale për t’u trajtuar.

Autoriteti i migracionit ka paraqitur ankesë ligjore për të siguruar një hetim në Prokurorinë Federale të Meksikës.

“Ky autoritet informon se është paraqitur një ankesë pranë autoriteteve përkatëse për të hetuar se çfarë ka ndodhur dhe nëse është e nevojshme të procedohet në përputhje me rrethanat”, thuhet në njoftimin e INM-së.

Më tej, po ashtu njoftohet se Komisioni Kombëtar i të Drejtave të Njeriut do të fillojë një hetim për të mbrojtur të drejtat e njeriut të të huajve.

Mediat lokale raportojnë se 68 persona nga Amerika Qendrore dhe Amerika Jugore qëndronin në objekt. Autoritetet njoftuan se zjarri filloi në ora 22:00 sipas kohës lokale.

Po ashtu raportohet se u vendos komunikim dhe koordinim me autoritetet konsullore nga vende të ndryshme për të zbatuar veprime që mundësojnë identifikimin e plotë të emigrantëve të vdekur.

OKB bën thirrje për “hetim të plotë” për zjarrin në objektin e emigrantëve në Meksikë

Shefi i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka kërkuar një “hetim të plotë” për zjarrin në qendrën e emigracionit në Meksikë.

Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, u tha gazetarëve se sekretari i përgjithshëm i OKB-së është “thellësisht i pikëlluar” nga vdekjet.

“OKB-ja është e përkushtuar të punojë me autoritetet në vendet ku ndodhin lëvizje masive të njerëzve, me qëllim për të krijuar rrugë migrimi më të sigurta, më të rregulluara dhe më të organizuara”, tha Dujarric.