Menduan se kishte pistoletë në dorë, policia vret aktoren e njohur amerikane

 

Ish-aktorja e serive dramatike amerikane “ER”, Vanessa Marquez është qëlluar nga policia dhe ka ndërruar jetë në Pasadena-n e Jugut në Kaliforni, sipas Variety, People, CNN dhe mediave të tjera.

Thuhet se ajo u qëllua për vdekje këtë të enjte, 30 gusht, fill pasi policia mbërriti në shtëpinë e saj për të kontrolluar mirëqenien e aktores. CNN raporton se aktorja, që mendohet se vuante nga problemet mendore, ka marrë një armë të tipit BB dhe e ka drejtuar drejt policëve, të cilët e kanë ngatërruar me pistoletë dhe kanë hapur zjarr.

Armët BB janë të projektuara për të hedhur sfera të vogla metalike. Sipas informacioneve në Google, ato nuk cilësohen si armë zjarri, mund të blihen në dyqane të specializuara nga personat mbi 18 vjeç. Edhe pse nuk janë armë zjarri, mund të shkaktojnë/kanë shkaktuar vdekjen e njerëve në varësi të fuqisë së tyre.

Marquez lujti rolin e infermieres Wendy Goldman në “ER” nga viti 1994-1997. Me qendër në Çikago, drama mjekësore “ER” merret me krizat personale dhe profesionale të mjekëve në sallën e urgjencës së Spitalit të Përgjithshëm të vendit.