Merkel favorizon zgjidhjen me dy shtete për çështjen palestinezo-izraelite

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka përsëritur kërkesën e saj për një zgjidhje me dy shtete të konfliktit palestinezo-izraelit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Merkel dhe Mbreti Abdullah i Jordanisë folën në një konferencë të përbashkët për media në Berlin.

“Ne nuk duam të heqim dorë nga ideja e zgjidhjes me dy shtete njëjtë si më parë, por përkundrazi duam ta çojmë përpara atë. Ne besojmë se siguria e Izraelit garantohet më së miri kur ekziston një shtet në të cilin mund të jetojnë edhe palestinezët”, tha Merkel.

Kancelarja Merkel falënderoi mbretin Abdullah të Jordanisë për angazhimin e tij për paqen në çështjen palestinezo-izraelite.

Duke kujtuar se Jordania është mbrojtësi zyrtar i Mesxhid-it të Aksasë dhe Autoritetit të Vakëfeve Fetare të Kudsit, Merkel tha se, “Kjo është një detyrë shumë e rëndësishme dhe e veçantë. Unë ju falënderoj për këtë”.

Mbreti Abdullah, nga ana e tij, vlerësoi vendosmërinë e kancelares Merkel për të zgjidhur kriza të ndryshme.

Duke theksuar se ndershmëria dhe përkushtimi i kancelares gjermane janë të rëndësishme për bashkëpunimin, Abdullah tha se, “Ju keni qenë gjithmonë zëri i arsyes dhe një shembull i ndritshëm i dinjitetit njerëzor”.

Mbreti Abdullah gjithashtu theksoi se Merkel po përpiqet ta bëjë botën një vend më të pasur dhe më paqësor. /aa