Mësimdhënia për zhvillimin e të menduarit kritik – kërkesë bashkëkohore

Shkruar nga: Qëndresa Zharki

“Edukimi nuk është të mësuarit për faktet, por trajnimi i mendjes për të menduar”. – Albert Einstein

Me të vërtetë edukimi nuk është një proces i thjeshtë të mësuari vetëm për faktet, ai përfshin analizën dhe trajnimin e mendjen për të menduar. Ky trajnim i mendjes për të punuar në mënyrë krijuese, duhet të jetë qëllimi i shoqërisë sonë. Pasi që një ndër aftësitë kryesore që iu nevojiten nxënësve jo vetëm në jetën shkollore por edhe jashtë saj, padyshim se është të menduarit në mënyrë kritike. Mendimi kritik është themeli i të menduarit strategjik, krijues, gjykimit të mirë dhe vendimmarrjes së mirë. Konsiderohet si procesi i analizimi të fakteve në mënyrë që të formojmë një gjykim të drejtë. Shkolla luan një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e këtyre aftësive, gjegjësisht mësuesit me metoda, mjete, teknika e strategji efikase që përdorin përgjatë mësimdhënies. Por të ndalim tek ajo se sa të rëndësishme janë aftësitë e të menduarit kritik? Çfarë dëshmie mund të kërkojmë për t’i parë përfitimet tek nxënësit tanë?

Në rradhë të parë, zhvillimi i aftësisë për të menduar në mënyrë kritike është një element i rëndësishëm për qasjet dhe modelet moderne në fushën e arsimit. Sidomos, tani që bota po bëhet një mjedis jete edhe më teknikë dhe më kompleks se që ishte vite më parë. Për më tepër, hapja e internetit dhe aftësia jonë për të krijuar dhe ngarkuar përmbajtjen tonë në kanalet e mediave sociale ka krijuar një mbingarkesë të marrjes së informacioneve të larmishme. Përveç kësaj, stilet tona të komunikimit kanë ndryshuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Fëmijët sot në mënyrë të përditësuar kanë qasje me botën teknologjike. E cila para se gjithash përmbanë një mori efekte pozitive dhe negative mbi mirëqenien dhe edukimin e mirëfilltë të tyre. Gjithashtu, kjo situatë ka vënë në pah nevojën për edukim cilësor, përkitazi me kërkesat bashkëkohore për mësimdhënie që iu përshtatet nevojave të nxënësve.

Gjithësesi, të kthehemi tek rëndësia e të menduarit kritik…Në jetën e përditshme ndodh të gjendemi në situata të ndryshime që kërkojnë të marrim vendime, dhe këto vendime priren të afektojnë cilësinë e jetës sonë. Ajo se çfarë ne dëshirojmë nga jeta është të sigurohemi se po jetojmë një jetë të suksesshme, të lumtur, me zgjedhje të duhura. Kjo gjë mund bëhet përmes të menduarit në mënyrë kritike. Jemi të vetëdijshëm se nxënësit mësojnë në mënyra të ndryshime, janë me prejardhje, kultura, zakone të ndryshime nga njëri-tjetri, prandaj domosdoshmërisht mësuesi duhet të praktikojnë një mësimdhënie efektive, e cila kontribuon në zhvillimin e të menduarit kritik, që do t’i ndihmojë nxënësit të adaptohet me diversitetin e botës, të përballojnë sfidat dhe problemet, e të arrijnë t’i menaxhojnë sa më të mirë që të jetë e mundur. Megjithatë, të menduarit kritik nuk është i lehtë për t’u bërë, sepse në fund të fundit si e mësojmë dikë për të menduar?

Nëse e marrim si shembull një orë mësimore që mësuesi realizon në klasë, brenda asaj ore sigurisht parashihet që do të elaborohen tema të cilat mësuesi iu parashtron pyetje nxënësve, pyetje të cilat ngacmojnë të menduarit e nxënësve, dhe në këtë formë ai ka mundësuar aktivizimin e të menduarit e tyre, njëkohësisht është nxitur edhe zhvillimi i të shprehurit me fjalë, pra komunikimi, pastaj ndërveprimi, rritja e interaktiviteti nëpërmjet pyetjeve dhe përgjigjeve që ata japin rreth një teme të caktuar, mbi të cilat ata shfaqin njohuri të akumuluar si rezultat i mësimnxënies. Siç mund të shihet mësuesit janë ata që krijojnë mjedisin në klasë që kultivon dhe inkurajon dëshirën e nxënësve për të bërë pyetje dhe në të njëjtën kohë duke ndikuar në zhvillimin e aftësive për të menduarit kritik.

Ashtu siç e thotë edhe Ainstein. A: “Gjëja më e rëndësishme është të mos ndaloni së pyeturi. Kurioziteti ka arsyen e vet për të ekzistuar.”, duke nënkuptuar se me anë të kurioziteti vjen në shprehje praktika e pyetjeve për të ekspoloruar dhe zbuluar gjëra të reja. Për këtë arsye duke përdorur pyetje thelbësore dhe të grumbulluar në mësimdhënien tonë, ne nxitim kureshtjen e nxënësve tanë duke i angazhuar ata në eksplorimin rreth një teme të caktuar, duke iu dhënë mundësi të perceptojnë gjëra që normalisht nuk do t’i shihnim, ose do të kishim një perceptim krejtësisht ndryshe,

Pra, nëse ne arrijmë t’i mbështesim nxënësit tanë në përvetësimin e këtyre aftësive në mënyrat më të përshtatshme, përfitimet për ta janë të pamatshme. Kjo qasje fillon me të kuptuarit se roli i mësuesit kalon në lehtësim e njohurive, përderisa nxënësi marrin rolin e drejtuesit. Duke si një ndërmarrje e madhe por duket më e menaxhueshme kur e ndajmë në copa më të vogla. Përgjithësisht, të mësuarit kërkon përpjekje, ndërsa të menduarit kritik kërkon shpenzim të plotë të aftësive intelektuale. Si përfundim mund të themi se të menduarit kritik nuk është diçka për t’u frikësuar, por në vend të kësaj, është diçka që duhet të mësojmë ta përqafojmë në shkollat dhe klasat tona.