Michel: BE po ashpërson sanksionet për ta mbajtur në presion maksimal Kremlinin

“Ka më shumë prova të krimeve të luftës dhe ekzekutimeve. Ky nuk është një operacion special. Këto janë krime lufte dhe ne, BE-ja, nuk do ta kthejmë shpinën. Ne e shohim realitetin drejt e në sy”, tha Michel

Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian (BE), Charles Michel, ka deklaruar se blloku evropian do të duhet të vendosë masa kundër importeve të naftës dhe madje edhe kundër gazit rus në një farë pike për ta mbajtur në presion maksimal Kremlinin, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne duhet të bëjmë gjithçka që këto mizori të ndalen. Ne po forcojmë sanksionet tona për ta mbajtur në presion maksimal Kremlinin. Paketa e re përfshin ndalimin e importit të qymyrit. Mendoj se masat për naftën dhe madje edhe për gazin do të nevojiten herët apo vonë”, tha Michel në një adresim në Parlamentin e BE-së.

Ai theksoi se Rusia kreu krime kundër njerëzimit në qytetin ukrainas Bucha.

“Ne shprehim zemërimin tonë për krimet kundër njerëzimit, kundër civilëve të pafajshëm në Bucha dhe në shumë qytete të tjera. Akoma më shumë prova që tregojnë se brutaliteti rus kundër popullit të Ukrainës nuk ka kufij. Ka më shumë prova të krimeve të luftës dhe ekzekutimeve. Ky nuk është një operacion special. Këto janë krime lufte dhe ne, BE-ja, nuk do ta kthejmë shpinën. Ne e shohim realitetin drejt e në sy”, tha Michel.

Duke theksuar se do të ketë “pasoja të rënda për të gjithë ata që janë përgjegjës”, Michel tha se do të bëjnë gjithçka për të sjellë autorët para drejtësisë ndërkombëtare.

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe Moska po përballen me kritika edhe më të ashpra nga komuniteti ndërkombëtar pasi Ukraina akuzoi forcat ruse për kryerje të “gjenocidit” dhe “krime të luftës” në Bucha, një qytet afër kryeqytetit Kiev.

Rusia i ka mohuar akuzat duke i quajtur “sulm të lajmeve të rreme”, duke argumentuar se imazhet e trupave të vdekur dhe pamjet e civilëve të vrarë që kanë shkaktuar zemërim global janë inskenuar pasi forcat ruse u tërhoqën nga qyteti.

Lufta Rusi-Ukrainë, që filloi më 24 shkurt, ka tërhequr zemërim ndërkombëtar, me ndër të tjera Bashkimin Evropian (BE), SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, që po zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 1.480 civilë kanë humbur jetën dhe rreth 2.200 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i luftës në Ukrainë, megjithëse shifra e vërtetë dyshohet se është shumë më e lartë.

Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se mbi 4,2 milionë ukrainasë gjithashtu kanë ikur jashtë vendit, ndërsa miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit. /aa