Michel thirrje Izraelit të respektojë vendimin e GJND: E tmerrshme të shohësh civilë të pafajshëm të vrarë në Rafah

Charles Michel

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel i ka bërë thirrje Izraelit që të respektojë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe të ndalojë ofensivën në Rafah. Në një postim në X, Michel shkruan se është e tmerrshme të shohë teksa vriten civilë të pafajshëm palestinezë.

“Është e tmerrshme të shohësh civilë të pafajshëm palestinezë të vrarë në sulmin e fundit në Rafah, ku nuk ka zonë të sigurt për njerëzit e zhvendosur. I bëj thirrje qeverisë izraelite të respektojë plotësisht Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe të ndalojë menjëherë ofensivën e saj ushtarake në Rafah”, deklaroi ai.

Ai apelon edhe për një armëpushim të menjëhershëm.

“Është e nevojshme të zbatohet një armëpushim i menjëhershëm. Unë kërkoj respekt për të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën ndërkombëtare humanitare. I kujtoj qeverisë izraelite se marrëveshja e asocimit BE-Izrael bazohet dhe duhet të vazhdojë të bazohet në respektimin e të drejtave të njeriut, të drejtat dhe ligjet ndërkombëtare në përputhje me vlerat tona“, shtoi ai. /abcnews