Ministri i Brendshëm i Turqisë, Soylu: Mbi 500 mijë sirianë janë kthyer në vendin e tyre

Numri i sirianëve që u kthyen në vendin e tyre që nga viti 2016 ka kaluar 500 mijë, tha të sot ministri i Brendshëm i Turqisë, Süleyman Soylu, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas operacioneve anti-terroriste të Turqisë përtej kufirit të saj në veri të Sirisë, krijimi i zonave të sigurta dhe shërbimeve publike të qëndrueshme, veçanërisht arsimi dhe shëndetësia, kanë bërë të mundur kthimin e sirianëve.

Që nga viti 2016, Ankaraja ka nisur tre operacione të suksesshme anti-terroriste përtej kufirit të saj në veri të Sirisë për të parandaluar formimin e një korridori terrorist dhe për të mundësuar vendosjen paqësore të banorëve: Mburoja e Eufratit (2016), Dega e Ullirit (2018) dhe Burimi i Paqes (2019).

Duke folur në një ngjarje me rastin e projekteve të Turqisë për të ndërtuar shtëpi në Idlib, Soylu vuri në dukje se 503.350 sirianë janë kthyer në vendin e tyre që nga operacioni Mburoja e Eufratit.

Duke thënë se projektet e shtëpive vazhdojnë në 259 lokacione të ndryshme në veri të Sirisë, ai tha se deri më tani kanë përfunduar ndërtimi i afro 60 mijë shtëpive.

Siria është përfshirë në një luftë civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Bashar al-Asadit shtypi protestat pro-demokracisë me brutalitet të papritur.

Sipas shifrave zyrtare të OKB-së, mbi 350 mijë njerëz kanë humbur jetën nga konflikti, por grupet e të drejtave të njeriut vlerësojnë se numri i të vdekurve është midis 500 mijë dhe 600 mijë.

Sipas BE-së, mbi 14 milionë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre, duke u bërë refugjatë ose të zhvendosur brenda vendit. /aa