Ministri i Jashtëm gjerman në shënjestër të kritikave për politikën e dështuar në Afganistan

Heiko Maas

Deputetët gjermanë kritikuan ministrin e Jashtëm Heiko Maas të mërkurën për politikën e tij të dështuar në Afganistan, veçanërisht trajtimin e dobët të planeve të evakuimit, pasi ushtria gjermane po garon me kohën për të transportuar shtetasit e mbetur dhe stafin afgan nga Kabuli, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një seancë të veçantë të Komitetit të Punëve të Jashtme për situatën në Afganistan, kryetari i komitetit të Unionit Kristian Demokratik (CDU), Norbert Roettgen, kritikoi ashpër qeverinë për vlerësimin e gabuar të situatës politike në Afganistan gjatë disa javëve të fundit.

Roettgen i quajti ngjarjet dramatike në vendin e goditur nga lufta një “katastrofë politike dhe dramë njerëzore”, duke thënë se kjo gjithashtu është “një dështim moral i Perëndimit”.

“Ende ka shumë njerëz në Kabul ndaj të cilëve kemi përgjegjësinë t’i sjellim ata të sigurt në Gjermani. Megjithatë, është e paqartë se sa kohë aeroporti do të qëndrojë i hapur atje dhe nëse njerëzit do të mund të vijnë në aeroport”, shtoi Roettgen.

Vërejtjet e Roettgen-it i përsëriti dhe deputeti i opozitës së Gjelbër i cili ngriti akuza serioze kundër qeverisë gjermane për situatën dramatike në Afganistan.

“Kemi të bëjmë me një dështim kolektiv”, tha eksperti i politikës së jashtme të partisë së Gjelbër, Jürgen Trittin.

“Kancelarja gjermane Angela Merkel bëri atë që bën më mirë: asgjë. Ndërsa Heiko Maas siguroi raportet për të, duke shmangur raportet mbi situatën në Afganistan”, shtoi ai.

Maas, i cili vetëm dy muaj më parë hodhi poshtë sugjerimet se talebanët radikalë islam ishin në prag të marrjes së kontrollit mbi Afganistanin, është përballur me thirrje të shumta publike për të dhënë dorëheqjen pasi pranoi se ai “nuk e kishte vlerësuar mirë situatën”.

Në një takim me dyer të mbyllura me udhëheqjen e partisë së saj të hënën, Merkel pranoi gjithashtu se qeveria e saj e kishte gjykuar gabimisht situatën dhe tani varet nga ndihma e SHBA-së për të transportuar njerëzit e saj dhe mijëra ndihmës të saj afganë nga Kabuli. /aa