Ministri i Jashtëm i Katarit tregon zanafillën e krizës me vendet e Gjirit

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Katarit Sheikh Muhamed bin Abdulrahman Al Thani, zbuloi dje të mërkurën  – gjatë një interviste në programin “Realiteti” në “Qatar TV” – disa të pathëna deri më tani që paraprinë krizën aktuale të Gjirit, duke theksuar se “është e drejta e popullit të Katarit të dinë të vërtetën, kjo është një e drejtë legjitime për shkak se veprimet e ndërmarra nga shtetet e bllokadës e prekin drejtpërdrejtë atë”.

Në këtë kontekst Ministri tha se Emiratet e Bashkuara Arabe i kërkuan vendit të tij dy muaj para shpërthimit të krizës së Gjirit dorëzimin e gruas së një opozitari emiratsas në këmbim të ndalimit të fushatës mediatike kundër Katarit.

Ministri i Jashtëm katarian foli edhe për sjelljen e katër vendeve të  bllokadës (Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti), pak para fillimit të krizës dhe pas saj, duke theksuar se “Marrëdhëniet e Katarit me këto vende ishin miqësore ndërmjet krizës së vitit 2014 dhe krizës aktuale”.

“Ajo që ndodhi ishte një sulm i ashpër mediatik i përgatitur në Egjipt, Arabi Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kundër Katarit menjëherë pasi u hakerua Agjensia së Lajmeve të Katarit (QNA) ” tha Sheikh Muhamed  Al thani, duke shtuar se ai kontaktoi Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit që nga dita e parë të piraterimit të QNA dhe i kërkoi atij të lëshojë një deklaratë për të denoncuar këtë akt kriminal, por deri më sot kjo deklaratë nuk është lëshuar.

Ministri i Jashtëm i Katarit vuri në dukje se ai u përpoq “të komunikojë personalisht me Bin Selmanin (princin e kurorës saudit) dhe me ministrat e jashtëm të vendeve të bllokadës për ti sqaruar rreth hakerimit të agjencisë së lajmeve QNA në mënyrë që të ndalej fushata mediatike kundër Katarit”, ndërsa zbuloi se hetimet e kryera për këtë çështje dëshmuan përfshirjen e dy nga vendet e bllokadës në krimin e hakerimit të Agjencisë së Lajmeve Katariane.

Për rrethanat që çuan në krizën e tanishme, Al Thani theksoi se “dallimet që ishin në krizën e Gjirit të vitit 2014 u zgjidhën plotësisht përmes dialogut dhe diskutimeve”, duke shtuar se në atë marrëveshje “u përfshinë të gjitha palët.”

Në lidhje me takimin ministror të GCC-së, i cili u mbajt para samitit arabo-amerikan, Ministri Al Tahni shpjegoi se në atë takim nuk u përmend asnjë kontradiktë mes vendeve të Gjirit, dhe shtoi: “Vizita e Princit të kurorës së Bahreinit Salman bin Hamad Al Khalifa, Kryeministrit dhe kryeministrit të këtij vendi Khalifa bin Salman Al Khalifa në Katar para se të fillonte kriza konfirmon se nuk kishte asnjë mosmarrëveshje mes dy vendeve tona, dhe papritmas ne u përballëm me sulme kundër nesh menjëherë pas krimit të piraterisë”.

“Bahreini njohu zyrtarisht zgjidhjen e kontestit me Katarin në lidhje me nënshtetësinë e disa qytetarëce dhe ne u kërkuam atyre dërgimin e një shkrese  Sekretariatit të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit për të konfirmuar mbylljen përfundimtare të kësaj dosjeje si gjest dashamirësie nga Katari” tha ai.

Gjithashtu ai zbuloi se “Dy muaj para krizës së Gjirit pati mosmarrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe (UAE) në lidhje me fushatën mediatike kundër Katarit”, duke theksuar se UAE u përpoqën në atë kohë të bëjnë pazar me vendin e tij kundrejt ndalimit të këtsaj fushate në këmbim të dorëzimit të gruas së një opozitari emiratas të kërkuar nga autoritetet atje.

Sa i përket Arabisë Saudite, Ministri i Jashtëm i Katarit tha se kontaktet mes Babait Emir Hamad bin Khalifa Al Thani dhe udhëheqjes në Arabi Saudite ishin tejet normale para krizës, dhe përmendi në këtë kontekst se në takimin e “Hafr Al Batin” Princi i Kurorës Saudit Mohamed bin Selman sugjeroi afrimin e pikëpamjeve mes Katarit dhe Egjiptit në prani të Emirit Baba dhe presidentit egjiptian Abdel Fattah Sisi, mirëpo pas atij takimi Arabia Saudite e ndërpreu ndërmjetësimin”.

Ai tha se Republika Arabe e Egjiptit, që nga revolucioni i 25 Janarit (e njohur botërisht si “Pranvera Arabe”) po kalon një fazë delikate, duke shtuar se Katari e vlerëson rolin qendror të Egjiptit në rajon edhe pas largimit të ish-presidentit Mohamed Morsi. “Gjatë asaj kohe pati disa dallime mes Katarit dhe Egjiptit, por ne punuam për t’i zgjidhur ato, dhe për këtë çështje Lartësia e tij Emiri (i Katarit) mori pjesë personalisht në samitin e Sharm El Sheikh” nënvizoi ai.

Ministri i Katarit vuri në dukje se Sekretari Amerikan i Shtetit (Tillerson),  paraqiti gjatë turit të tij në rajon një platformë për zgjidhjen e krizës Gjirit, dhe se Katari e miratoi platformën në pritje të një përgjigjeje nga vendet të bllokadës, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan se nuk morën asnjë përgjigje nga këto vende.

Sheikh Muhamed bin Abdulrahman Al Thani theksoi se Lartësia e Tij Emiri (i  Katarit) e mirëpriti ftesën e Emirit të  Kuvajtit për të marrë pjesë në samitin e GCC-së duke e konsideriar si një mundësi të mirë për të takuar udhëheqësit e vendeve të Gjirit dhe sheshuar kontradiktat mes palëve, por ata nuk morën pjesë në samit.

Ndër të tjera, Ministri i Katarit bëri të qartë se “nga kontradiktat më të mëdha që kemi përjetuar në këtë krizë është situata para dhe pas bllokadës, e deri më sot asnjë nga shtetet e bllokadës nuk kanë paraqitur ndonjë provë rreth akuzave të pabaza ndaj nesh, përveçse disa lajmeve të shkëputura nga gazetat e këtyre vendeve, gjë që është diçka e papranueshme për çdokënd që ka arsyetim të shëndoshë” përfundoi ai.