Ministria e Shëndetësisë: Nuk ka asnjë spital në Rafah për të akomoduar këtë numër të të vdekurve dhe të plagosurve

Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza ka njoftuar se nuk ka spital në qytetin Rafah për të akomoduar të vrarët dhe të plagosurit në sulmin e ushtrisë izraelite në kampin ku qëndronin palestinezët e zhvendosur, transmeton Anadolu.

“Duke qenë se në qytetin e Rafahut nuk ka asnjë spital që mund të akomodojë këtë numër të të vdekurve dhe të plagosurve, ekipet e ambulancës kanë vështirësi në transportimin e të vdekurve dhe të plagosurve”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Komiteti i Emergjencave të Mirëqenies, nga ana tjetër, theksoi se ushtria izraelite bombardoi çadrat e palestinezëve të zhvendosur në zonë, që më parë e kishte quajtur “të sigurt” dhe se ky sulm hodhi poshtë pretendimet e ushtrisë izraelite për “gjetjen e një vendi të sigurtë”.

“Masakra e civilëve të zhvendosur zbulon këmbënguljen e Izraelit për të vazhduar operacionet e tij të vrasjes dhe shkatërrimit në Rafah, duke injoruar të gjitha kërkesat dhe vendimet ndërkombëtare për të ndaluar sulmet ushtarake dhe për të mos sulmuar civilët”, thuhet në njoftim.

Në njoftim gjithashtu theksohet se bashkësia ndërkombëtare, duke përfshirë SHBA-në, nuk mund të merrte masa parandaluese ndaj Izraelit dhe vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) nuk u zbatuan. Kjo situatë, theksohet më tej, i dha “dritë jeshile Izraelit për të kryer më shumë masakra në Rafah, ku u strehuan qindra mijëra palestinezë të zhvendosur”.

Komiteti bëri thirrje për të ushtruar presion ndaj Izraelit për t’iu përmbajtur vendimeve të GJND-së dhe theksoi se “çdo vonesë sjell më shumë vdekje për palestinezët”.

Izraeli sulmoi tendat e palestinezëve të zhvendosur në qytetin Rafah në Rripin e Gazës, ku të paktën 40 palestinezë humbën jetën në sulm.